Spiropali – Balluku luftë pa kompromis ..Rama kë do të mbrojë ..

Nga Kujtim Cekani – Duket se përplasja mes Elisa Spiropalit, Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, e rreshtuar hapur në një krah, ka hyrë në një fazë pa kthim. Këtë të premte, ish-kryetarja e Kuvendit ka artikuluar një nga kritikat më të forta ndaj asaj që ajo e përshkruan si rrëshqitje e “partisë shtet” drejt një strukture të ngurtë dhe të kontrolluar. Sipas saj, një parti e gjallë po zëvendësohet nga një mekanizëm “fosil”, ku vendimmarrja filtrohet përmes emërimeve të errëta dhe “drejtorokracia” ka zëvendësuar politikën me besnikëri administrative.
Lexuar përtej rreshtave, ky është një nga sulmet më të drejtpërdrejta ndaj Edi Ramës nga një figurë e lartë e së njëjtës mazhorancë, në të njëjtën linjë alarmi që më herët ka artikuluar edhe Arben Ahmetaj për mënyrën e përdorimit të pushtetit dhe fondeve publike. Por ndryshe nga ai, Spiropali duket se vë theksin tek degradimi i demokracisë së brendshme dhe tek kapja e segmenteve të shtetit nga struktura që operojnë përtej ligjit.
Në këtë pikë, sinjalet bëhen më konkrete. Kur ajo flet për institucione që nuk veprojnë më sipas ligjit, por sipas vullnetit të një pakice, dhe që kthehen në instrumente presioni, nënkuptimi është i qartë: përballë nuk është më një shtet funksional, por një mekanizëm që mund të përdoret kundër kujtdo, biznesi, media apo individi.
Sipas burimeve në media, këto deklarata lidhen edhe me episode konkrete. Flitet për kontrolle të ushtruara nga tatimet ndaj bizneseve të afërta me Spiropalin, të ndërmarra me urdhra që, sipas pretendimeve, lidhen me njerëz të emëruar nga Belinda Balluku. Madje, punonjës të administratës kanë shprehur pakënaqësi për zbatimin e urdhrave që i konsiderojnë të motivuara politikisht.
Vetë ish-ministrja e ka përforcuar këtë narrativë, duke folur për institucione që përdoren si “hanxharë” presioni dhe për një administratë që detyrohet të zbatojë urdhra të paligjshëm nën trysninë e eprorëve. Në të njëjtën kohë, ajo denoncon edhe sulmet mediatike të parapërgatitura, që sipas saj financohen dhe orkestrohen për të goditur kritikët brenda radhëve.
Në këtë klimë, përplasja merr edhe një dimension tjetër: ambicien për rritjen e rolit të Belinda Balluku në hierarkinë e PS-së, me mbështetjen e Edi Ramës. Pikërisht kjo lëvizje, që synohet të kalojë pa zhurmë, duket se ka nxitur tensionin dhe reagimin publik të Spiropalit, e cila nuk ka zgjedhur heshtjen, pavarësisht presioneve.









