Vrasja e Endri Goxhajt/ Autori e viktima me precedentë; në kërkim Donald Nela dhe vëllai i tretë, tjetri në spital

Një ngjarje e rëndë me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:50 në Memaliaj, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Sipas të dhënave të Policisë, pas një konflikti, autori i dyshuar Donald Nela, 29 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri ndaj Endri Goxha, 30 vjeç, i cili ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital.
Gjatë ngjarjes ka mbetur i plagosur edhe vëllai i autorit, Dalio Nela, 25 vjeç.
Ai është transportuar në spital dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, pasi kishte marrë dy plumba në bark.
Mjekët bëjnë me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet dhe aktualisht është në kërkim nga policia.
Mësohet se si viktima, ashtu edhe autori, njiheshin nga policia si persona me precedentë penalë. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar Donald Nela dhe vëllain tjetër të tij, Marjaldo Nela. Disa persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen, janë shoqëruar në polici.
LEXO EDHE: https://alb365.com/vdekje-ne-burgun-e-fierit-viktima-gjendet-pa-shenja-jete/
Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.











