BOTA

Përplasjet/ Merz: Plani i SHBA për Ukrainën, i papranueshëm

Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka quajtur “të papranueshëm” planin e SHBA-së për të përdorur fondet e ngrira ruse në Bashkimin Evropian dhe ka hedhur poshtë një propozim për të shtuar 100 miliardë dollarë të tjera nga evropianët.

Megjithatë ai shprehu shpresë se do të arrihej përparim në Gjenevë, ndërsa fajësoi Rusinë për sulmet e fundit hibride në infrastrukturën evropiane.

“Kjo është e papranueshme”, – tha kancelari në një intervistë për transmetuesin publik ARD, duke iu referuar një propozimi të SHBA-së për të kanalizuar 100 miliardë dollarë asete ruse të sekuestruara në Evropë për rindërtimin dhe investime në Ukrainë nën kontrollin e SHBA-së, të cilat më pas do të merrnin 50% të çdo fitimi të mundshëm.

Plani i SHBA-së parashikon gjithashtu që BE të kontribuojë me 100 miliardë dollarë shtesë për rindërtimin e Ukrainës. Këto janë pjesë të planit që “sigurisht nuk mund të zbatohen pa miratimin tonë”, theksoi Merz, duke shtuar se diskutimet aktualisht janë përqendruar në përdorimin e aseteve si kredi.

“Nëse kjo kredi jepet, ajo do të sigurohet nga Bashkimi Evropian dhe më pas do t’i jepet Ukrainës si kolateral në mënyrë që ajo të mund të vazhdojë të blejë armë. Por kjo nuk është diçka që prek drejtpërdrejt amerikanët.

“Pra, sigurisht, amerikanët nuk mund të kenë qasje në këtë shumë”, tha ai, duke shtuar se “kërkesa për të shtuar edhe 100 miliardë nga Evropa nuk është diçka që mund ta pranojmë”, theksoi ai.

“Nuk mund dhe nuk dua të paragjykoj negociatat që po zhvillohen aktualisht në Gjenevë, por është e rëndësishme që të arrihet përparim tani”, tha ai.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje se pse evropianët nuk kanë më shumë peshë në këto negociata, Kancelari argumentoi se Evropa duhet ta kishte mbështetur Ukrainën shumë më herët dhe shumë më intensivisht. “Ne bëmë shumë pak, shumë vonë. Duhej të kishim bërë më shumë dhe më shpejt”, tha ai.

Merz theksoi gjithashtu se “çdo ditë shohim sulme hibride nga Rusia” dhe përsëriti se Moska po përpiqet të shkatërrojë të gjithë rendin politik të kontinentit evropian.

“Ne shohim sulme hibride çdo ditë – në infrastrukturën tonë, në rrjetet tona të të dhënave. Ka pasur edhe akte sabotimi: I fundit që pamë në Poloni, i cili synonte një lidhje të rëndësishme hekurudhore, tregon qartë përfshirjen ruse”, – vuri në dukje kancelari gjerman.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button