Përmbytjet në Azi: Mbi 900 viktima në Sri Lanka, Indonezi dhe Tajlandë, qindra të zhdukur

Reshjet ekstreme të musonit, të përforcuara nga një stuhi tropikale, kanë shkaktuar një katastrofë të përmasave të mëdha, të cilën ekspertët e lidhin me ndikimin e krizës klimatike mbi modelet e motit. Mbi 900 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë të zhdukur në Sri Lanka, Indonezi dhe Tajlandë.
Në Sri Lanka, bilanci zyrtar ka arritur në 334 viktima, me shumë persona ende të pagjetur. Pjesë të kryeqytetit Kolombo janë nën ujë, në atë që përshkruhet si fatkeqësia më e rëndë që nga cunami i 2004-ës. Presidenti Anura Kumara Dissanayake ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe ka premtuar rindërtim me mbështetje ndërkombëtare. Rreth 148 mijë njerëz janë strehuar në qendra të përkohshme, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për të zhbllokuar rrugët.
Indonezia raporton shifrat më të larta, me 442 të vdekur dhe 402 të zhdukur, kryesisht në ishullin Sumatra. Mijëra banorë janë të bllokuar pa ushqime dhe ndihma, pasi shumë zona mbeten të paarritshme. Autoritetet kanë dërguar anije ushtarake me furnizime, ndërsa pamjet tregojnë banorët që kërkojnë ushqime mes rrënojave. Fatkeqësia ka prekur edhe faunën, ku një elefant i rrallë sumatran u gjet i pajetë nën baltë në Meureudu.
Në Tajlandë, të paktën 162 persona kanë humbur jetën në përmbytjet e konsideruara si ndër më të rëndat e dekadës. Qeveria ka nisur shpërndarjen e ndihmave dhe ka pezulluar dy zyrtarë lokalë pas kritikave për menaxhimin e krizës. Sezoni i musonit këtë vit u përkeqësua nga stuhia tropikale, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se Cikloni Ditwah pritet të godasë bregdetin jugor të Indisë. Situata mbetet kritike dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në të tre shtetet








