Mustapha i përgjigjet Boçit, gafë e Teutës: polemika për golin e anuluar të Bylis

Bylis dhe Teuta nuk kanë shkuar më shumë se barazimi në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Superiores. Sfida që u zhvillua në stadiumin “Adush Muça”, në Ballsh, përfundoi me shifrat e barabarta 1-1. Avantazhin e Boçit për durrsakët e fshiu një gabim flagrant i prapavijës së Dobit, që lejoi Mustapha të barazonte. Polemikat nuk kanë munguar për golin e Ofori, i anuluar me VAR, kur rezultati ishte ende 0-0.
Pjesa e parë nuk prodhoi shumë raste, por pa Bylis të ishte më kërkues drejt portës së Selmanit. Teuta u mjaftua të mbronte, duke lënë topin në zotërimin e vendasve, që megjithatë nuk mundën të gjenin avantazhin. Rastin më të mirë e kishte Mustapha, por goditja në hyrje të zonës e sulmuesit përfundoi pak mbi traversë.
Në pjesën e dytë pastaj ndryshoi gjithçka, edhe pse episodi kyç mbetet anulimi i golit të Ofori. Në minutën e 55’, Bylis arriti të shënonte, por pas festa në Ballsh u shua pas rishikimit të gjatë në VAR. Enea Jorgji e anuloi golin për një pozicion jashtë loje, nën protestat e mallakastriotëve. Teuta përfitoi nga ky moment dhe shënoi në minutën e 75’, kur Boçi përfitoi nga gabimi i Brunos për të zhbllokuar ndeshjen.
Reagimi i Bylis ishte i menjëhershëm, vetëm 6 minuta më vonë, edhe pse më shumë se për meritën e skuadrës së Josës barazimi erdhi si pasojë e një gabimi katastrofik të prapavijës së Teutës. Mustapha e pa topin në këmbë, kur dy mbrojtës durrsakë penguin njëri-tjetrin dhe me një të djathtë të saktë riktheu baraspeshën. Pas minutave të fundit të zjarrta ndeshja u mbyll në barazimin 1-1. Kështu, Bylis shkon në kuotën e 14 pikëve por mbetet në vendin e 8-të. Në krahun tjetër me 23 pikë, Teuta është përsëri në vendin e katërt.









