SPORT

Muçi emri më i lakuar në merkaton turke të futbollit

Adriatik BALLA

Lojtarët e Kombëtares po nxitojnë në këtë fund viti të rrisin të dhënat e tyre individuale në fushë me klubet e tyre, ku dikush dëshiron më shumë minuta e të luajë titullar, një tjetër të rrisë numrin e golave dhe asistove e të tjerë të kenë rol lideri brenda klubeve të tyre, por të gjithë kanë një synim madhor: Të mund të marrin ftesën nga Silvinjo në ekipin përfaqësues për ndeshjet e “play-off”-it në mars ku Kombëtarja ka një shans të kualifikohet për herë të parë në historinë e saj në finalet e një Kupe Bote.

Në këtë rrugëtim një nga lojtarët që po spikat më shumë është Ernest Muçi, pjesë e Trabzonsporit në Turqi, ku sulmuesi shënon gola spektakolarë sa tani ka marrë krejt vëmendjen e shtypit sportiv turk dhe jo vetëm. Nga ana tjetër, duket se jehona e fitores së Kombëtares tonë në transfertë ndaj Serbisë nuk është venitur ende, lojtarët dhe protagonistët e asaj mbrëmje e rikthejnë atë herë pas here në fokus me informacione të reja.

Muçi më i miri i nëntorit, por në Turqi ai tani është lajm i përditshëm

Goli i Ernest Muçit kundër Konyaspor në javën e 14-të të sezonit u zgjodh goli i muajit nëntor nga faqja zyrtare e Super Ligës së Federatës Turke të Futbollit. Sekretari i përgjithshëm i Federates Turke, Sami Karaman i dorëzoi sulmuesit të Kombëtares kuqezi, Ernest Muçit çmimin e tij para ndeshjes me Beşiktaş, ku talenti shqiptar sërish realizoi një tjetër supergol. Ai shënoi një tjetër gol mjaft të bukur përballë ish-skuadrës së tij Beşiktaş në një ndeshje që u mbyll në barazim 3-3. Kur ndeshja ishte 0-2, sulmuesi kuqezi arriti të tregojë talentin e tij në fushën e lojës për të rihapur ndeshjen dhe në fund të dy skuadrat u mjaftuan me nga një pikë.

Cake kujton fitoren me Serbinë

Klisman Cake po kalon një moment të artë te skuadra e Shkëndijës, duke shkuar historinë me kuqezinjtë. Në një lidhje live për emisionin “Mega Sport”, mbrojtësi pogradecar, ka treguar ndeshjen më emocionuese në karrierë si dhe ka lënë të hapur mundësinë e largimit nga tetovarët në fund të sezonit. “Fitorja me Bratislavën na bëri shumë mirë, tani jemi perfekt. Premiot mbeten brenda klubit. Kam kontratë deri në verë. Padyshim që është më mirë se në Shqipëri.

Niveli është njësoj si në Shqipëri. Në Shqipëri është plus infrastruktura dhe media, që janë më lartë. Grupet Shkëndija i kishte kërkuar vite me radhës. Ka shkuar 3 herë në “Play Off” të Europa League, atmosfera është perfekt. Të gjithë e kanë pasur rëndësinë e vetë, besoj se kishte ardhur koha, si me Caken si pa Caken. Nuk e di si u ndjeva kur më erdhi ftesa nga Silvinjo, nuk e besova. Nuk e prisja. Më dukej sikur isha në ëndërr. Gjëja kryesore për tu mbajtur mend do të jetë fitorja në Serbi, sesa kur debutova në miqësore. Më shumë u emocionova me atë fitore. Ajo mund të jetë në karrierë ndeshja më emocionuese që kam marrë pjesë. Mjafton që isha aty i pranishëm. Kur bëri golin Manaj na duhej kardiologu.

Duam të shkojmë në Amerikë, ai është synimi. Me Shkëndijën duam të kalojmë grupin. Kemi shumë mundësi. Të shikojmë çfarë do bëhet. Me shumë mundësi e kalojmë edhe këtë fazë. Është duke u punuar për stadiumin e ri, për 1 vit do bëhet. Telefoni bie non stop, të shikojmë çfarë do ketë. Dëshirën e kemi të gjithë të luajmë te Reali, por të shikojmë ku do jenë mundësitë”, deklaroi Cake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button