
Miratohet plani i konservimit për parkun arkeologjik të Bylis-Klos, përfshihet dhe krijimi i një modeli bashkëpunimi ndërinstitucional për monumentet
Nga Julia Vrapi
Plani i konservimit për parkun arkeologjik të Bylis-Klos ofron udhëzime për menaxhimin e kushteve të ruajtjes së monumenteve dhe për promovimin e aksesit të vizitorëve në mënyrë të qëndrueshme. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi në mbledhjen e datës 19 dhjetor planin e konservimit për parkun arkeologjik të Bylis-Klos, që nga institucionet konsiderohet si një dokument strategjik, dhe ndër më të rëndësishmit për menaxhimin e një parku arkeologjik në Shqipëri. “Ky plan përfaqëson një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore të Bylisit, duke ofruar udhëzime të qarta për menaxhimin e kushteve të ruajtjes së monumenteve dhe për promovimin e aksesit të vizitorëve në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin parkut arkeologjik kombëtar Bylis.
Përgatitja e planit ka përfshirë kontributin e ekspertëve italianë dhe shqiptarë, si dhe të specialistëve të Institutit të Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore (IKTK). Siç bëhet me dije, procesi përfshiu dokumentime të detajuara, konsultime me ekspertë të fushës dhe bashkëpunim të ngushtë me komunitetin lokal, për të siguruar që plani të reflektojë nevojat dhe karakteristikat specifike të zonës. “Planifikimi i konservimit përfshin edhe elemente të tjera strategjike, përfshirë trajtimin e rrezikut nga faktorët natyror, menaxhimin e vizitorëve, zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe sensibilizuese për publikun, si dhe krijimin e një modeli bashkëpunimi ndër-institucional për monitorimin dhe mirëmbajtjen e monumenteve”, thuhet në njoftim.
Ky plan konservimi është pjesë e projektit “EU for Economic Development – Tourism-led, Local, Economic Development, with a focus on Cultural Heritage” të financuar nga Bashkimi Evropian dhe po zbatohet nga AICS, Tirana.
Plani i menaxhimit
Parrku arkeologjik Bylis/Klos do të ketë një plan të ri menaxhimi, i cili dhe më parë ka sjellë diskutime mes specialistëve të trashëgimisë kulturore. Plani i ri i menaxhimit përfshin infrastrukturën, konservimin e trashëgimisë apo edhe vijimin e hulumtimeve dhe gërmimeve arkeologjike. Siç është bërë me dije më parë, vizioni i planit të menaxhimit do të zhvillohet në sajë të: a) Propozimit të ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese; b)Zbatimit të projekteve dhe organizim të administrimit bashkëkohor të PAB. Ndërkohë që prezantimi i punës për planin e konservimit të parkut arkeologjik të Bylisit, që përfshin qytetet antike Bylis dhe Klos mblodhi më parë këtë shtator drejtues të pushtetit vendor, specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore, drejtues institucionesh dhe përfaqësues të komunitetit. Në ambientet e Bashkisë Mallakastër u prezantua drafti i parë i këtij plani konservimi. Drafti i planit të konservimit u dorëzua zyrtarisht në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore , ndërkohë që sugjerimet e ekspertëve dhe të komunitetit u bë me dije se do të integroheshin edhe në versionin final, që u dorëzua për miratim në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.









