Grabiten 30 milionë euro nga një filial banke në Gjermani

Ka bërë bujë në Gjermani grabitja e një banke kursimesh në qytetin e Gelsenkirchen në perëndim të vendit. Grabitësit arritën të hynin në kasafortë duke hapur një vrimë në mur me anë të një makinerie të madhe shpimi. Policia konfirmoi se ata arritën të vjedhin 30 milionë euro në para cash dhe sende me vlerë. Një zëdhënës i policisë e krahasoi vjedhjen me filmin e Hollivudit, “Ocean’s Eleven” dhe se grabitësit kishin vepruar “shumë profesionalisht”.
Gjatë grabitjes në bankën e kursimeve “Sparkasse” hajdutët hapën më shumë se 3000 kasaforta që përmbanin para, ar dhe bizhuteri. Policia e Gelsenkirchen tha se u njoftua për krimin pasi u aktivizua alarmi në orët e para të mëngjesit të së hënës. Aktualisht, nuk janë bërë arrestime dhe autorët mbeten të lirë.
Policia tha se hajdutët kishin përdorur “ditët e qeta të Krishtlindjeve” për të kryer grabitjen. Hetimet zbuluan se ata arritën të hynin në bankë dhe u arratisën nëpërmjet një garazhi parkimi që ndodhej ngjitur. Dëshmitarët kanë raportuar se kanë parë disa burra duke mbajtur çanta të mëdha në shkallët e garazhit gjatë natës së të shtunës dhe të dielës. Policia tha se pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar një Audi RS 6 të zi duke dalë nga garazhi herët të hënën në mëngjes.
Klientëve të prekur të bankës u është kërkuar të kontaktojnë bankën e cila ka ngritur një linjë telefonike. Policia mbylli hyrjen e bankës të martën pasi një numër i madh klientësh u mblodhën jashtë duke kërkuar informacione. Një mesazh në faqen e internetit të bankës njoftoi se dega do të mbetej e mbyllur pas vjedhjes.
Banka “Sparkasse” tha se 95% e kasafortave të klientëve ishin hapur me forcë nga hajdutët, kështu që mundësia që ata të jenë prekur është “shumë e lartë”. Ajo shtoi se përmbajtja e secilës kuti është e siguruar deri në 10 300 euro dhe u tha klientëve të kontrollonin nëse kishin mbulim shtesë përmes sigurimit të tyre të shtëpisë.









