Alarm/ Dalia e Semanit shkatërron blegtorinë – bagëti të mbytura, bletë të zhdukura dhe ushqim i kalbur në Mbrostar.

Fier – Përmbytja godet rëndë fermerët brenda argjinaturës së lumit
Dalja e lumit Seman nga shtrati ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonën e Mbrostarit, duke vënë në vështirësi të thella ekonomike fermerët dhe blegtorët e kësaj zone. Sipas të dhënave nga terreni, rreth 15 biznese bujqësore të ndodhura brenda argjinaturës së lumit janë prekur drejtpërdrejt nga përmbytja.
Uji ka pushtuar stallat, magazinat dhe ambientet ndihmëse, duke sjellë pasoja të rënda për sektorin e blegtorisë dhe bletarisë.
Shpezë dhe bagëti të mbytura, koshere bletësh të shkatërruara
Banorët raportojnë se përmbytja ka shkaktuar ngordhje të shpendëve, humbje të deleve, dhive, si dhe shkatërrim të kosherave me bletë. Në disa ferma, uji ka mbuluar tërësisht ambientet ku mbaheshin kafshët, duke mos u lënë asnjë mundësi shpëtimi.
“Uji na hyri në stallë brenda pak minutash. Shpezët u mbytën, disa dele i gjetëm të ngordhura, të tjerat janë sëmurë. Dëmi është i pallogaritshëm.”
Baza ushqimore jashtë funksionit: ushqimi u lag, u myk dhe u kalb
Goditja më e madhe për fermerët mbetet shkatërrimi i bazës ushqimore. Sipas tyre, sasia e ushqimit për bagëtinë është lagur, është mykur dhe tashmë ka dalë plotësisht jashtë përdorimit.
Fermerët paralajmërojnë se ushqimi i kontaminuar përbën rrezik serioz për shëndetin e bagëtive, ndërsa mungesa e alternativave po e përkeqëson situatën çdo ditë e më shumë.
Ndihmë e përkohshme nga pushteti vendor, por jo zgjidhje
Pas përmbytjes, grupe komisionesh nga pushteti vendor kanë inspektuar dëmet në terren dhe kanë shpërndarë bazë ushqimore për bagëtitë. Megjithatë, sipas fermerëve, kjo ndihmë ka qenë e mjaftueshme vetëm për dy ditë.





“Na sollën pak ushqim, por mjaftoi vetëm për dy ditë. Tani jemi të braktisur. Nuk kemi me çfarë t’i ushqejmë bagëtitë.”
Bagëti të sëmura nga lagështira dhe i ftohti






Përveç humbjeve direkte, blegtorët raportojnë edhe sëmundje të shumta tek bagëtitë e mbijetuara. Lagështira, uji i ftohtë dhe kushtet e rënda atmosferike kanë shkaktuar infeksione dhe dobësim të përgjithshëm të kafshëve.
Në disa raste, blegtorët thonë se bagëtitë po ngordhin gradualisht, ndërsa mungesa e ndihmës veterinare po e përshpejton këtë situatë.





Thirrje për ndërhyrje urgjente nga institucionet
Banorët e Mbrostarit, bashkia Fier, kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe mbështetje të vazhdueshme institucionale, jo vetëm për ushqimin e bagëtive, por edhe për kompensimin e dëmeve dhe për parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen.
Sipas tyre, nëse nuk merren masa të menjëhershme, rrezikohet falimentimi i dhjetëra familjeve që jetojnë vetëm nga blegtoria dhe bujqësia./ALB365/Xhemil Beharaj











