
Çfarë është ky “1 miliard dollarëshi” për të cilin kryeministri Rama u detyrua të sqarojë se Shqipëria nuk do ta paguajë? Nga doli kjo shifër dhe kujt i referohet realisht? Një raportim i New York Times hedh dritë mbi draftin e paqartë të ashtuquajturit “Board of Peace” (Bordi i Paqes) ku përmendet një prag financiar prej 1 miliard dollarësh për vendet që synojnë një rol permanent. Dokumenti nuk përmend Shqipërinë, nuk flet për detyrime konkrete dhe as nuk sqaron nëse kjo shumë do të paguhet ndonjëherë nga ndonjë shtet. Mes deklaratave politike dhe informacionit të fragmentuar, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një angazhim real ndërkombëtar apo thjesht për një shifër që u kthye në tym politik jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë vendet (60 deri në mbi 100) që janë ftuar tek Bordi i Paqes.
Lapsi.al sjell të përmbledhur shkrimin e The New York Times në shqip:
“Bordi i Paqes” i Donald Trump, i promovuar si një trup i ri ndërkombëtar për ruajtjen e paqes, rezulton të jetë gjithçka, përveçse një nismë klasike multilaterale. Sipas një drafti të statutit të bordit, të siguruar nga The New York Times, anëtarësimi i përhershëm në këtë strukturë kushton mbi 1 miliard dollarë cash.
Megjithëse bordi u konceptua si pjesë e planit të Trump për Gazën, dokumenti themelues nuk përmend askund Gazën, duke ushqyer spekulimet se bëhet fjalë për një mekanizëm më të gjerë, potencialisht një alternativë të dominuar nga SHBA ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në nëntor 2025, Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë që mbështeste planin e Trump për përfundimin e luftës Izrael–Hamas dhe përshëndeti krijimin e Bordit të Paqes si administratë tranzitore për rindërtimin e Gazës. Territori është shkatërruar rëndë: rreth 80% e ndërtesave janë dëmtuar ose rrënuar dhe mbi 2 milionë banorë jetojnë mes rrënojave.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se në bord do të përfshihen figura kyçe amerikane si Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Jared Kushner dhe kreu i Bankës Botërore, Ajay Banga. Ftesa për anëtarësim u është dërguar edhe vendeve si Kanadaja, Turqia, Egjipti dhe Argjentina, ndërsa edhe mbreti i Jordanisë është ftuar zyrtarisht. (Apo edhe Shqipëria me një letër drejtuar Edi Ramës – shënim i Lapsi.al)
Por përbërja e një strukture paralele, të quajtur “Bordi Ekzekutiv i Gazës”, ka shkaktuar përplasje të forta. Në këtë bord përfshihen përfaqësues të Turqisë dhe Katarit, gjë që ka nxitur reagim të ashpër nga Izraeli. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu deklaroi se vendimi nuk ishte koordinuar me Izraelin dhe bie ndesh me politikën e tij.
Zyrtarë izraelitë e kundërshtojnë hapur përfshirjen e Turqisë dhe Katarit, vende që Izraeli i konsideron si mbështetëse ose toleruese të Hamasit. Anëtarë të qeverisë izraelite kanë paralajmëruar se Netanyahu do të bëjë gjithçka për të ndryshuar këtë përbërje.
Ndërkohë, prioriteti kryesor i Izraelit mbetet çmilitarizimi i Gazës, diçka që Hamasi deri tani refuzon ta pranojë.
Përgatiti ©LAPSI.AL











