Bardhi: Asnjë intimidim nuk e shpëton dot Ramën nga përgjegjësia

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pasi SPAK i tha ‘jo’ Komisionit ‘Xhafaj 2’.
Në një postim në Facebook, Bardhi shkruan se përpjekja e Ramës për të intimiduar Prokurorinë e Posaçme, e ka marrë përgjigjen, kur SPAK e ka cilësuar ‘në kundërshtim me ligjin’, vizitën inspektuese që Xhafaj ka kërkuar.
‘Pasi kundërshtoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, duke e shndërruar qeverinë në zyrë avokatie të të pandehurës Balluku, si dhe pasi prej 6 javësh zvarrit kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e të njëjtës së pandehur, ky është sulmi i rradhës i Edi Ramës në luftën që tashmë i ka hapur publikisht sistemit të drejtësisë dhe Prokurorisë së Posaçme.
Por, përpjekja e Edi Ramës për të intimiduar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nëpërmjet ‘inspektimeve të deputetëve’, ka marrë refuzimin e prerë nga SPAK, e cila të ashtuquajturat ‘vizita monitoruese’ i konsideron në kundërshtim me ligjin dhe në cënim të pavarësisë kushtetuese të institucionit.
E ka të kotë! Asnjë intimidim ndaj SPAK nuk e shpëtojnë dot nga përgjegjësia përpara ligjit Edi Ramën, Belindën dhe Linda-t e tij të korruptuara’, shkruan Bardhi.









