“Ndeshjen e vendosi Hamiti!”: Josa akuzon arbitrin, refuzon të flasë për taktika

Shumë episode për të qenë i qetë në fund të ndeshjes. Shumë vendime që rastësisht ose jo penalizuan Bylis, në humbjen me përmbysje të Teutës në Niko Dovana. Mirel Josa shpërtheu me akuza të rënda pas ndeshjes, duke shënjestruar arbitrin Eldorjan Hamiti për ndikim në favor të Teutës, që u kthye te fitorja pas 10 javësh pa 3 pikë në Superiore.
“Të humbësh një ndeshje me Teutën, skuadër që është ndërtuar rishtas, ka investim, nuk është turp. Por mënyra se si ne humbim ndeshjen, nuk më pëlqeu fare se kishte influencë duke filluar që te kornja e parë që ne hëngrëm golin. Nuk ishte për Teutën, që aty u pa tendenca e Hamitit që dhe në avantazhe favorizoi ekipin e Teutës. Tjetër, një faull shumë i rëndë në favor tonë nuk u dha. Çfarë mund të them për një ndeshje futbolli të tillë? Ndeshja me këto episode luhet. Më mirë të pyesnit arbitrit për këto gjëra se ndeshjen e vendosi ai. Kaq. Nuk kam për të bërë asnjë analizë teknike, sa i përket lojës”, u shpreh Josa për “RTSH”.
Josa e nisi me goditjen nga këndi të dhënë në favor të Teutës, nga ku erdhi goli i barazimit, pastaj për dy kartonë të verdhë të munguar për kapitenin e Teutës Blerim Kotobelli dhe në fund për faullin e akorduar po për durrësakët, nga ku erdhi goli i përmbysjes.








