Premtime në fushatë dhe heshtje në terren

Greizë – 50 familje të izoluara në një kilometër rrugë pa asfalt, pa drita dhe pa shpresë
Vetëm një kilometër rrugë ndan lagjen “Grisë” në zonën e ish-pularisë nga aksi nacional që lidh aksin rrugor Patos – Mallakastër. Por për rreth 50 familje që jetojnë në këtë zonë, ky segment është kthyer në një makth të përditshëm.
Rruga është totalisht e pashtruar, pa infrastrukturë dhe pa ndriçim. Në dimër kthehet në baltë, ndërsa në verë në pluhur të dendur. Banorët shprehen se, ndonëse janë taksapagues të rregullt ndaj bashkisë, asnjë investim nuk është bërë ndonjëherë në këtë segment rrugor.






Sipas tyre, gjatë viteve kanë qenë vetë banorët që kanë mbledhur para dhe kanë hedhur disa herë shtresa rabituminoze, por ndërhyrjet kanë qenë të përkohshme. Lagështira e zonës e dëmton menjëherë shtrimin, duke e kthyer rrugën në gjendjen e mëparshme brenda pak muajsh.
“Jemi ankuar disa herë, si në bashki ashtu edhe në njësinë administrative Portëz, por zgjidhje nuk kemi marrë asnjëherë,” – shprehen banorët. Sipas tyre, përfaqësues të pushtetit vendor shfaqen vetëm gjatë fushatave elektorale, ku japin premtime për asfaltim dhe ndriçim, por pas zgjedhjeve gjithçka mbetet në harresë.
Për 50 familjet e kësaj zone, kërkesa është e thjeshtë: asfaltim i plotë i segmentit prej një kilometri, sistemim i kanalizimeve anësore për të shmangur dëmtimin nga lagështira dhe vendosje e ndriçimit publik.
Deri atëherë, ky kilometër mbetet simbol i premtimeve të pambajtura dhe i një realiteti që vazhdon të rëndojë mbi banorët çdo ditë.









