
Në fshatin Bishan të Levanit, mes fushave dhe kujtimeve të një kohe që nuk kthehet më, jeton një burrë që e ka lidhur jetën me muzikën dhe biçikletën. Agur Troka, 65 vjeç, është një nga ata njerëz që fizarmonikën nuk e kanë thjesht vegël, por pjesë të shpirtit.
Prej më shumë se 50 vitesh, ai nuk është ndarë asnjë ditë nga fizarmonika. Çdo pasdite, për dy apo tre orë, shtëpia e tij mbushet me tinguj popullorë. “E kam mësuar vetë,” – tregon ai me modesti. Pa shkollë muzike, pa mësues, vetëm me dëshirë dhe këmbëngulje. Hapat e parë i hodhi në grupet popullore të fshatit që shkonin në dasma.
Herën e parë që preku me emocion tastierën para një publiku, ishte në dasmën e komshies së tij. Aty luajti një valle të njohur, progonishten, që u prit me duartrokitje dhe gëzim. Që nga ajo ditë, fizarmonika u bë shoqja e pandarë e jetës së tij. Pjesët popullore kanë qenë gjithmonë të preferuarat e Agurit. “Ato janë zemra e vendit tonë,” – thotë ai.



Aguri është i martuar dhe është baba i një djali dhe dy vajzave. Teksa flet për familjen, zëri i dridhet, sytë iu mbushën me lotë. Dy vajzat i ka humbur tragjikisht, një plagë që nuk shërohet kurrë. “I kujtoj çdo ditë,” – thotë mes lotësh. Djali nuk e ka pasion muzikën si i ati, por trashëgimia nuk është shuar.
Sot, Aguri e sheh vazhdimësinë tek mbesa e tij. Është ajo që ka nisur të merret me muzikë, i bie “qypit” dhe ka marrë bazat prej gjyshit. “Ajo e ka qejf,” – thotë me një buzëqeshje që i ndriçon fytyrën. Në shtëpinë e tij ruhen me kujdes disa vegla muzikore: fizarmonikë, klarinetë, kitarë, qypi. Disa prej tyre i mban edhe si kujtim e ekspozim, si dëshmi e një jete të mbushur me tinguj.
Por muzika nuk është i vetmi pasion i tij. Në oborrin e shtëpisë qëndrojnë tre biçikleta, të sistemuara me kujdes. Biçikleta ka qenë për vite me radhë mjeti i tij i përditshëm. Për 27 vite, Aguri përshkoi rrugën nga Bishani në Fier dhe anasjelltas, çdo ditë, për të shkuar në punë në ndërmarrjen e ndërtimeve industriale.
Zbriste Qafën e Koshevicës, në kohë kur autobusi mungonte dhe rruga ishte e vështirë. Ishte e vetmja mënyrë për të siguruar bukën e familjes, thotë ai.
Sot, në moshën 65-vjeçare, Agur Troka mbetet simbol i pasionit, këmbënguljes dhe dashurisë për artin. Një burrë që ka përballuar dhimbje të mëdha, por që nuk e ka lënë kurrë muzikën të heshtë. Sepse për të, fizarmonika nuk është thjesht tingull – është kujtim, është shpresë, është vetë jeta./ALB365/Xhemil Beharaj









