Osmani: Kurti ma punoi pas shpinës për Presidencën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur në një intervistë për “Syri TV”, për atë që ndodhi gjatë negociatave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Ajo tha se Albin Kurti i kishte thënë të provojë të bindë opozitës për të qëndruar në sallë në mënyrë që të plotësohej kuorumi.
Por, në të njëjtën kohë, Osmani tha se Kurti po punonte me kandidatë të tjerë. Ajo tha se asnjëherë nuk i ka vënë kushte kryeministrit Albin Kurti.
“Nuk e kam kushtëzuar Kurtin asnjëherë. E vetmja gjë që kam propozuar është që të më jepet një shans që të shkojmë në sallë, të shohim sa deputetë do jenë në sallë sepse kisha kontakte me deputetë e garanci që nuk do të bojkotonin.
Çfarë ndodhi ishte që prapa shpinës sime punohej me shumë kandidatë të tjerë dhe unë e kuptoja nga televizioni, që po punohej me kandidatë të tjerë teksa mua m’u tha të provoja të bindja opozitën”, – ka thënë ajo.
Osmani konfirmoi edhe lajmin se Kurti i kishte ofruar një post ministror.
“Janë diskutuar këto gjëra, por kam thënë se nuk është çështje pozitash. Nuk është që më duhej një pozitë doemos”, – ka thënë ajo.
Osmani tha se Kurti nuk i ofroi përkrahje si kandidate për Presidente.
“Më thanë eja futuni si kandidate formalisht si kundërkandidate e Glauk Konjufcës, e të shohim si po rrjedh. Kur i pyeta pse kemi nevojë unë e Konjufca të jemi kundërshtarë? A e kam unë përkrahjen tuaj? E ajo përkrahje nuk m’u dha”, – tha ajo.
Osmani zbuloi edhe arsyet që sipas saj çuan në qejfmbetjen e Kurtit.
“Ndoshta do ta them këtë në ndonjë moment tjetër…Por, kryesisht është lidhur me punën time në fushën e politikës së jashtme, pra është shprehur që i duhet një president që fare nuk merret me politikë të jashtme. Çështjet tjera më mirë nuk po i përmend do vijë edhe momenti te kjo, – tha Osmani.











