AKTUALITET

Kolaps në tatime/ Bizneset faturojnë 10 herë më shumë.

Një alarm i kuq është ndezur në mjedisin e biznesit shqiptar gjatë 48 orëve të fundit. Sistemi informatik i Administratës Tatimore, i njohur si @Cats, ka pësuar një “çakordim” masiv, duke gjeneruar fatura të Tatimit mbi Fitimin në vlera që tejkalojnë 10-fish detyrimin real të kompanive.

Ky kaos teknologjik, i cili po trajtohet me dyer të mbyllura nga administrata, rrezikon të bllokojë likuiditetin e mijëra sipërmarrjeve, duke i detyruar ato të paguajnë shuma marramendëse për gabime që nuk i kanë kryer.

Burime konfidenciale nga Administrata Tatimore bëjnë me dije se sistemi është lënë në “mëshirë të fatit” që prej korrikut të vitit 2025. Ndonëse Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) hapi një tender me vlerë 770 milionë lekë për mirëmbajtjen e modulit të faturimit, procedurat u zvarritën në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) për shkak të ankesave për abuzime.

Rezultati? Kontrata e vjetër përfundoi, fituesi i ri nuk u shpall në kohë, dhe sistemi @Cats mbeti pa “kokë” teknike për gjysmë viti, deri në këtë shpërthim anomalisht që po shohim sot.

Deri më tani janë identifikuar mbi 1,500 raste faturash të fryra, ku formula e përllogaritjes së kësteve mujore ka dështuar totalisht. Për një biznes që normalisht paguan 1 milion lekë tatim-fitim, sistemi ka prerë faturë për 10 milionë lekë.

“Është një anomali e pakontrollueshme informatike. Sistemi nuk njeh më historikun e saktë dhe po aplikon koeficientë të çmendur,” – shprehen burimet nga brenda Tatimeve.

Ajo që e bën situatën dramatike nuk është vetëm gabimi teknik, por ngurtësia e ligjit tatimor. Bizneset gjenden përpara një udhëkryqi të pamundur:

Gjobat Automatike: Nëse biznesi refuzon të paguajë faturën e fryrë, sistemi (i cili është i automatizuar) fillon menjëherë llogaritjen e kamatë-vonesave mbi shumën 10-fish.

Parimi “Solve et Repete”: Sipas procedurave në fuqi, për të ankimuar një faturë tatimore, subjekti duhet paraprakisht të paguajë vlerën e plotë të saj. Pra, një biznes duhet të derdhë në arkën e shtetit paratë e veta (që mund të jenë rrogat e punonjësve ose investime) vetëm për të pasur të drejtën të thotë “shteti ka bërë gabim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button