Edi Rama bëri mirë që e sulmoi Ambrozian!

Nga Romir Saraçi
Nuk më vjen keq për Ambrozian, pasi ajo mori si kundërpërgjigje atë që kërkoi, në momentin që e dinte se kë kishte përballë, një kryeministër autoritarist, që shtyp, kërcënon dhe arreston këdo që e bezdis. Madje ishte paralajmëruar, duhet të kishte zënë mend nga dhunimi verbal, madje edhe fizik, i herëve të shkuara. Keq më vjen për Isa Myzyrajn, për të cilin nuk e di saktësisht nëse u sensibilizua apo thjesht qëlloi në vendin e gabuar në kohën e gabuar, por sido që të jetë, ndoqi instinktin e një gazetari me integritet. Më vjen keq edhe për kolegët e tjerë, që besoj se në mendje dhe në shpirt ishin gati të bënin të njëjtën gjë që bëri Ambrozia, por që në fund të ditës duhet të mendonin edhe për rrogën që duhet të çojnë në shtëpi.
Reaguan shoqatat e gazetarëve dhe kritikuan gazetarët e terrenit për mosbojkotimin e konferencës.
Jeni gabim, të dashur kolegë të shoqatave! Bëtë të njëjtën gjë që bëri kryeministri Edi Rama me Ambrozian. Nëse doni të mbroni gazetarët, atëherë ato reagime kritike drejtojini ndaj mediave ku punojnë këta gazetarë. Për 100% të mediave kombëtare kjo situatë nuk ndodhi, ndërsa për 90% të mediave lokale ishte thjesht një debat mes një gazetareje dhe një kryeministri.
Nëse doni të mbroni gazetarët, reagoni kundër institucioneve mediatike, jo kundër gazetarëve që nuk u sensibilizuan, në mënyrë që të mos lini hapësirë që në reagimet tuaja të bëhen sërish target gazetarët. Reagoni për faktin se media ku punon një prej gazetarëve të sulmuar dhe ofenduar me fjalë banale nga kryeministri, jo vetëm që nuk e mbrojti gazetarin e vet, por përkundrazi sulmoi Ambrozian se bezdisi kryeministrin duke e pyetur pse arreston qytetarët dhe amniston Belinda Ballukun.
Nëse doni ta kuptoni pse Edi Rama e ka këtë sjellje shtypëse ndaj atyre pak gazetarëve opozitarë, reagimi i mediave përballë këtij rasti është dëshmia më e pastër. Është dëshmia se si këto media, të rreshtuara prej vitesh krah pushtetit, majmen me fonde, koncesione, leje ndërtimi, prona etj. Dhe në këmbim shfrytëzohen për të bërë propagandën e pushtetit të kalbur të Edi Ramës.
Ambrozia guxoi dhe mori atë përgjigje, por janë qindra gazetarë të tjerë që janë të dhunuar, shtypur, të blerë dhe të ofenduar jashtë vullnetit të tyre, për shkak të kompromisit që disa pronarë mediash kanë bërë me pushtetin, në kurriz të fjalës së lirë. Për ata duhet të na vijë keq dhe për ata duhet të reagojmë!









