Angjelin Preljocaj për Le Monde/ Historia ime shqiptare

Historia e koreografit të famshëm nga arratisja e familjes prej Shqipërisë komuniste deri tek jeta mes dy botëve në Francë
Historia e Angjelin Preljocajt është ajo e një familjeje shqiptare që u detyrua të largohej nga vendi në vitet e para të regjimit komunist dhe që u bashkua me dramën e një brezi të tërë emigrantësh politikë. “Nuk do të kisha arritur këtu nëse prindërit e mi nuk do të kishin lënë Shqipërinë komuniste në vitin 1956”, ka rrëfyer koreografi i famshëm në një intervistë të gjatë për gazetën Le Monde të kësaj të diele, duke i kushtuar një pjesë të madhe trashëgimisë së vet shqiptare.
Në intervistën për gazetaren Rapahëlle Bacque ai ka treguar se qëllimi fillestar i arratisjen nuk ishte që të përfundonin në Francë.

“Ishte koha e diktatorit Enver Hoxha, por im atë kërkonte të jetonte i lirë dhe për t’i shpëtonte varfërisë. Një natë, ai iku bashkë me vëllain dhe babanë e tij, duke lënë pas nënën, e cila më pas u arrestua dhe u burgos për disa muaj në shenjë hakmarrjeje. Ata shkuan drejt Malit të Zi, përmes të njëjtit masiv malor që lidhte këtë vend me Shqipërinë. Aty, në një familje barinsh, të pjesës shqiptare të kësaj zone jetonte nëna ime e ardhshme. Shqiptarët e njihnin njëri-tjetrin dhe babai me nënën u martuan me mblesëri. Sido që të ketë qenë, ata vazhduan udhëtimin drejt Francës, ku unë linda” ka treguar Angjelini.
Kjo arratisje dramatike është përshkruar edhe në mënyrë letrare nga shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, në librin “Kushëriri i Engjëjve” ku arratisja e familjarëve krahasohet me lëvizjet e një balerini që ecën në majë të gishtave për t’iu shmangur rojeve të armatosura. “Duhej një elegancë e tillë për të kapërcyer hendekët dhe për t’i shpëtuar rrezikut”, kujton protagonisti, duke sjellë në mendje rrëfimet e nënës së tij. “Është një përkthim i bukur letrar i një lëvizjeje që ma ka treguar nëna ime… Ky udhëtim në barkun e saj filloi kur prindërit e mi u bashkuan në kampin e refugjatëve të Gerovos, në Kroaci, pastaj përshkuan Europën deri në Bruksel dhe më pas në Paris, ku dorëzuan një kërkesë për vizë për Shtetet e Bashkuara. Viza nuk erdhi dhe ata gjetën punë të vogla. Babai im punonte si sharrëxhi, ndërsa nëna ime bënte punë shtëpie. Flisnin shumë pak frëngjisht. Në atë kohë, Franca ishte e mbushur me refugjatë, por organizata La Cimade u gjeti strehë në një krah gjysmë të rrënuar të kështjellës së Sucy-en-Brie (Val-de-Marne), e cila strehonte një shumëllojshmëri migrantësh. Pikërisht në këtë kështjellë të zymtë linda unë. Më pas u transferuan në një banesë në Champigny-sur-Marne” ka treguar Perljocaj në intervistë.
Më vonë familja u zhvendos në Champigny-sur-Marne, një qytet që në atë kohë konsiderohej bastion i Partisë Komuniste Franceze. Ironia ishte e dukshme: prindërit kishin ikur nga komunizmi për të jetuar në një mjedis ku ndikimi i kësaj ideologjie ishte i fortë. Megjithatë, ata nisën të ndërtonin një jetë të re dhe vendosën të qëndronin në Francë edhe kur më në fund mbërriti viza për në SHBA.
Fëmijëria e tij kaloi mes dy botëve. “Në shtëpi flisnim shqip, gatuanim shqip dhe dhomat ishin të mbushura me qilima shumëngjyrësh”, kujton ai. Jashtë shtëpisë, shkolla dhe shoqëria franceze hapnin një horizont tjetër kulturor. Muzika klasike si ajo e Franz Schubert dhe ëolfgang Amadeus Mozart bashkëjetonte me meloditë shqiptare, duke krijuar një identitet të dyfishtë kulturor. “Porsa dilja nga shtëpia, një botë tjetër hapej para meje. Kishte edhe diçka tjetër, misterioze, prekëse dhe intriguese: shumë refugjatë vazhdonin të vinin nga Shqipëria, disa me një adresë të vogël në xhep: atë të prindërve të mi. Shumicën e kohës ishin njerëz shumë të varfër, që qëndronin disa ditë në shtëpi, sa të gjenin punë ose njerëz të tjerë për t’i strehuar. Në sytë e mi, ata formonin një kortezh personazhesh paksa fantastikë, diçka që i ngjante universit të Kafkës”.
Për vite me radhë, familja kishte pak ose aspak lajme nga të afërmit e mbetur në Shqipëri. Babai dërgonte letra motrave të tij, pa e ditur nëse ato mbërrinin. Ndjenja e fajit për arrestimin e nënës së tij dhe frika për të folur hapur për të kaluarën e shndërruan këtë histori në një kujtesë të heshtur. “Këtë të kaluar të dhimbshme më është dashur ta rindërtoj grimcë për grimcë”, pohon Angjelini. Në fund të intervistës ai ka treguar edhe rikthimin e prindërve në Tiranë dhe vermosh pas rënies së komunizmit.Kthimi simbolik në Shqipëri pas rënies së komunizmit.
“Menjëherë pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991, Shqipëria nisi të hapet ndaj botës dhe të rikthejë lidhjet me diasporën e saj kulturore. Presidenti i ri i Republikës, Sali Berisha, ndërmori nisma për të ftuar artistët shqiptarë që jetonin jashtë vendit. Mes tyre isha edhe unë, me trupën time artistike, për të performuar në Operën e Tiranës”.
Ky rikthim pati një domethënie të veçantë për familjen e tij. Ai vendosi të merrte me vete prindërit, të cilët kishin lënë Shqipërinë dekada më parë në rrethana dramatike. Ata mbërritën me të gjitha bagazhet dhe me planin për të parë shfaqjen në kryeqytet e më pas për t’u kthyer në vendlindjen e babait, në malet e veriut. “Ishte diçka e pabesueshme për historinë tonë familjare”, kujton ai, duke përshkruar atmosferën e mbrëmjes në Operën e Tiranës, ku ishin të pranishëm presidenti, ministrat, inteligjencia shqiptare dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare.
Të nesërmen, prindërit duhej të udhëtonin për rreth gjashtëmbëdhjetë orë me autobus për të arritur në Vermosh, fshatin e origjinës së babait. Por ndërhyrja e presidentit ndryshoi planet: atyre iu vu në dispozicion një helikopter ushtarak.
“Të nesërmen, prindërit e mi duhej të merrnin një autobus, gjashtëmbëdhjetë orë udhëtim për të arritur në Vermosh, fshatin e babait tim. Por presidenti na vuri në dispozicionin një helikopter në mënyrë që unë të mund t’i shoqëroja në veri dhe të kthehesha në Tiranë për shfaqjen e mbrëmjes. Ishte një helikopter shumë i vjetër i ushtrisë, kisha frikë se do të rrëzoheshim. Meqenëse piloti nuk e gjente fshatin, u ulëm në mes të maleve për të pyetur për rrugën tonë! Vendi dukej në pamje të parë i shkretë, megjithatë një turmë e vogël u shfaq menjëherë për të na ndihmuar”, ka treguar ai duke nxjerrë edhe një konkluzioon nga kjo vizitë e parë në vendlindjen e të atit: “Pa dyshim, ishte ky moment i kthimi në Shqipëri, kur të gjithë na përgëzonin, donin të flisnin dhe të na bënin pyetje, kur prindërit e mi më në fund kuptuan se çfarë kisha arritur unë.”
Marrë nga Le Monde, pergatiti T.Çela











