AKTUALITETTOP-NEWS

Konflikt për tokën/ Banori përplaset me policinë: “Nuk pranoj çmimin, do vetëflijohem nëse më presin ullinjtë”

Fier – Një situatë e tensionuar është regjistruar mëngjesin e sotëm në Fier, ku banori Neim Tahiri është konfliktuar me punonjës të Bashkisë Fier, Policinë Bashkiake dhe Policinë e Rendit.

Shkak i përplasjes është bërë një vendim i Këshillit të Ministrave për shpronësimin e një sipërfaqeje toke në pronësi të Tahirit, e mbjellë me rreth 240 rrënjë ullinj. Sipas projektit, kjo sipërfaqe do të merret nga Bashkia Fier për t’u kthyer në një shtesë të varrezave publike të qytetit.

Banori shprehet se nuk është kundër shpronësimit, por kundërshton çmimin e ofruar nga shteti, duke theksuar se toka e tij është e mbjellë me ullinj dhe ka vlerë më të lartë ekonomike.
“Jam dakord me shpërblësimin, por jo me këtë çmim. Kjo nuk është tokë me fiq apo kumbulla, por me ullinj. Ose të më jepet një vlerë e drejtë, ose të më kompensojnë me një sipërfaqe tjetër toke publike pranë zonës,” mësohet të ketë deklaruar Tahiri.

Situata është tensionuar kur përfaqësues të bashkisë, të shoqëruar nga policia, kanë shkuar në terren për të nisur prerjen e ullinjve, në funksion të zbatimit të vendimit për shpronësim.

Në kulmin e debatit, banori ka bërë edhe deklarata të forta, duke paralajmëruar vetëflijim nëse do të ndërhyhej në pronën e tij.
“Mos më detyroni të bëj gjëra që nuk dua. Nëse hyni dhe prisni ullinjtë, do më detyroni të vras veten,” është shprehur ai.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Bashkisë Fier kanë pohuar se procedurat janë ndjekur në përputhje me ligjin dhe se banori është njoftuar prej kohësh për vendimin e Këshillit të Ministrave, madje sipas tyre ka pasur edhe dakordësi të mëparshme të firmosur.

Por Tahiri e kundërshton këtë pretendim, duke deklaruar se firma është hedhur në kushte të papërshtatshme.
“Personi që ishte i autorizuar ka qenë në gjendje të dehur dhe për të shmangur konfliktin unë e kam firmosur dokumentin,” ka thënë ai.

Edhe djali i tij ka reaguar, duke theksuar gjendjen shëndetësore të babait dhe presionin psikologjik që po përjeton.
“Babai vuan nga zemra dhe çdo mëngjes merret me punët e tokës mbledh lakra të egra. Sot kur mori vesh se do vinin për të prerë ullinjtë, u tensionua shumë. Dokumentet i mora unë dhe ia çova aty. Ai nuk e kishte për shaka kur tha se do vetëflijohej,” është shprehur ai.

Ngjarja mbetet e tensionuar, ndërsa pritet një zgjidhje mes palëve për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës./ ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button