AKTUALITETTOP-NEWS

Zjarret në Drenie dhe Gjinoqarë nën kontroll, vijon operacioni për izolimin e vatrave në Mallakastër

Situata e zjarreve në zonën e Drenies dhe Gjinoqarës paraqitet më e qetë gjatë orëve të para të mëngjesit.

Në Drenie, zjarri është shuar dhe aktualisht nuk ka vatra aktive. Zona vijon të mbahet nën monitorim nga shërbimet zjarrfikëse, strukturat e pyjeve dhe forcat e Bashkisë Patos, për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.

Ndërkohë, në Gjinoqarë ka mbetur vetëm një vatër aktive, e lokalizuar në një gropë, e cila sipas informacioneve është drejt shuarjes.

Në vatrën e zjarrit në ekonominë pyjore Lofkënd-Ngraçije, në Bashkinë Mallakastër, ka nisur operacioni për izolimin e perimetrit të zjarrit. Në terren janë angazhuar 30 trupa të Forcave të Armatosura, 10 punonjës të Policisë Bashkiake, 15 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, 5 efektivë të MZSH-së dhe një automjet zjarrfikës.

Në pjesën tjetër të frontit, në drejtim të ekonomisë pyjore të Gjinoqarës, po operojnë strukturat e MZSH-së së Patosit me dy mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë.

Sipas të dhënave nga terreni, zjarri vijon të zgjerojë perimetrin në disa zona, por intensiteti i flakëve është më i ulët gjatë orëve të para të mëngjesit, duke krijuar kushte më të favorshme për ndërhyrjen e forcave dhe izolimin e vatrave.

Forcat në terren vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe riaktivizimin e vatrave të shuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button