
Kombëtarja shqiptare U-19 dhuroi një paraqitje spektakolare në sfidën e dytë të Grupit B4 në kualifikueset e Europianit, duke mposhtur Maltën me rezultatin e thellë 7-1 në “Shtëpinë e Futbollit”.
Skuadra e drejtuar nga Fatjon Tafaj dominoi takimin nga fillimi në fund, duke regjistruar kështu fitoren më të thellë në historinë e kësaj grupmoshe. Kuqezinjtë thyen rekordin e mëparshëm, të vendosur në vitin 2024 ndaj Lihtenshtajnit (6-0). Shqipëria kaloi në avantazh në minutën e 21-të me Arman Durmišin, pas një asistimi të saktë nga Lukas Cekrezi. Malta reagoi shpejt dhe barazoi pesë minuta më vonë me Camilleri, por gjithçka më pas foli për vendasit.
Gabriel Kulla riktheu epërsinë në minutën e 35-të, ndërsa pak para pushimit Durmiši realizoi sërish për të çuar shifrat në 3-1. Sulmuesi 17-vjeçar nuk u ndal me kaq, duke kompletuar tripletën në fillim të pjesës së dytë. Festivali i golave vazhdoi me Redzepin, i cili shënoi të pestin pas aktivizimit nga stoli, ndërsa protagonist absolut u bë Kulla me një dopietë tjetër, duke vulosur rezultatin përfundimtar 7-1.
Në takimin tjetër të grupit, Norvegjia triumfoi 3-0 ndaj Luksemburgut në stadiumin “Niko Dovana”. Tashmë gjithçka do të vendoset në sfidën e fundit: Shqipëria do të përballet më 31 mars me Norvegjinë, në një duel direkt për kualifikimin, që do të luhet sërish në “Shtëpinë e Futbollit”, në orën 15:00.









