Rritja e çmimeve çon në vështirësi pensionistët, boshatiset tregu i fruta-perimeve i Fierit

Fier – Rritja e çmimeve të fruta-perimeve në Fier, po godet më fort shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, veçanërisht pensionistët, të cilët me të ardhura të ulëta e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë blerjet e përditshme.
Tregu i fruta-perimeve pranë kryqëzimit të “Zogut të Zi” , dikur i mbushur me tregtarë dhe blerës, sot paraqitet i boshatisur.
Aty ku më parë numëroheshin rreth 75 deri në 100 tregtarë, aktualisht kanë mbetur më pak se 50, një rënie drastike që reflekton drejtpërdrejt tkurrjen e fuqisë blerëse.
Blerësit, kryesisht të moshës 60-70 vjeç, shprehen se çmimet janë bërë të papërballueshme për ta.
Ata theksojnë se pensionet janë të ulëta dhe nuk mjaftojnë as për nevojat bazë.







“Na shkon mendja të blejmë diçka, por kur shohim çmimet, detyrohemi të heqim dorë,” shprehen disa prej tyre, duke kërkuar ndërhyrje nga qeveria për rritjen e pensioneve dhe lehtësimin e kostos së jetesës.
Nga ana tjetër, edhe tregtarët përballen me vështirësi të mëdha. Ata thonë se mungesa e klientëve ka detyruar shumë prej tyre të mbyllin aktivitetin. “Nuk ka më blerës. Edhe ne jemi të detyruar të largohemi,” shprehen tregtarët, duke shtuar se në zonë kanë mbetur kryesisht të moshuar, ndërsa të rinjtë janë larguar.
Sipas tyre, realiteti në fshat është i zymtë: shumica e familjeve përbëhen vetëm nga dy të moshuar, të cilët mezi arrijnë të sigurojnë jetesën. Aktiviteti bujqësor është reduktuar në minimum, duke u kufizuar vetëm në produkte bazë si qepa apo kultura të tjera të thjeshta.








Kjo situatë tregon një krizë të dyfishtë: rritjen e çmimeve dhe rënien e fuqisë blerëse, duke e kthyer tregun dikur të gjallë në një hapësirë gjithnjë e më të zbrazët./ALB365











