SPORT

“Aty ku kishim frikë, u ndëshkuam” Shehi i zhgënjyer nga barazimi, Ribaj shpreson

“Duhet ta pranojmë rezultatin dhe pse na dhemb për mënyrën si shkoi dhe si u ndëshkuam. Ishim shumë pranë 3 pikëve dhe ndaj kundërshtarit direkt. Na dhemb, por duhet të shohim përpara”. Orges Shehi nuk e fsheh zhgënjimin për fitoren e munguar, që do ta kishte afruar ndjeshëm Tiranën me objektivin. Bardheblutë dolën me një 1-1 nga Vlora, që i rri ngushtë për mënyrën si erdhi barazimi: “Aty ku kishim frikë, te topat e ngelur në zonë, dhe u ndëshkuam. Kundështari nuk kishte çfarë të humbiste”.

Shehi ka shpjeguar edhe atë që nuk funksionoi për skuadrën e tij, që mund ta kishte mbyllur ndeshjen përpara se të ndëshkohej në shtesë, nga ajo penallti e diskutueshme: “Në disa momente mungoi dhe pasimi i mirë. Ajo na solli vështirësi. Minutat e fundit mendon për mbrojtjen e rezultatit, jo për më shumë si për të qenë në zotërim të topit apo për të ndryshuar taktikisht”.

Ribaj: “Duhet ta fitonim këtë ndeshje”

“Ekipi ka cilësi, por unë e kam thënë, që vuajmë presionin e pikëve dhe kjo ndikon shumë te lojtarët. Te pësimi i golit të parë, unë iu thashë që 10-15 minutat e para duhet të jemi të vëmendshëm që mos marrim topa mbrapa shpinës”. Një sugjerim nga Andi Ribaj që mesa duket lojtarët e Flamurtarit nuk e morën parasysh, duke qenë se u ndëshkuan në minutën e 3’ nga Tabekou. “Në pjesën e parë u goditëm shpejtë, u vumë në presion nga goli i shpejtë dhe nuk arritëm të dilnim në lojën që donim, në pjesën e dytë më ka pëlqyer shumë ekipi”.

Flamurtari, sidoqoftë, e rimori veten pas goditjes edhe falë ndryshimeve taktike të bëra nga tekniku: “Tirana në pjesën e parë luante 4-2-3-1, ne ndryshuam sistemin pastaj e bëmë 3-5-2, për të kapur gjerësinë, futëm Oshafin, është i fortë në ajër, për të shënuar. Ia arritëm, por duhet ta fitonim këtë ndeshje sepse luanim ndaj një rivali direkt – tha Ribaj duke e mbyllur shpresëplotë -. Për të ardhmen kemi ndeshjen e radhës me Vorën, do të punojmë jashtëzakonisht shumë, për të marrë maksimumin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button