Champions/ Diaz e Kane ngrijnë Realin, Mbappé i mban gjallë: Arsenal godet në Lisbonë

Mbrëmje e madhe në Champions League, me ndeshjet e para çerekfinale. Në Bernabeu, Bayern Munich bën goditjen e madhe përballë Real Madrid me golat e Luis Diaz e Kane. Blancos u futën në lojë me Mbappe, por në Allianz Arena duhet tjetër gjë. Në Lisbonë, Sporting u dënua nga një Arsenal cinik, që mori rezultatin me golin e Havertz në shtesë.
REAL MADRID-BAYERN MYNIH 1-2
Raundi i parë i çerekfinaleve të Champions League shkon për Bayern, që në “Bernabeu” mposht 2-1 Real Madrid. Gjermanët kaluan në avantazh në fundin e pjesës së parë (41’) me golin e Luis Diaz pas asistit të Gnabry, në një aksion që nisi nga një prekje me dorë e Olise, e konsideruar e papërfillshme për VAR-in. Pas vetëm 25 sekondash në pjesën e dytë, Kane dyfishoi shifrat. “Los Blancos” rrezikuan sërish të pësonin, më pas nisën të krijonin raste për të ngushtuar diferencën: Vinicius nuk përfitoi nga gabimi i Upamecano dhe i vetëm përballë Neuer e dërgoi topin në rrjetën e jashtme.
Në minutën e 74’, megjithatë, goli i Mbappe me një shtytje të thjeshtë në zonë vlejti për 2-1. Spanjollët kërkuan edhe barazimin, por u dorëzuan: megjithatë, goli i francezit i jep ende teknikut Arbeloa një shpresë për ndeshjen e kthimit të 15 prillit në “Allianz Arena”. Bavarezët, gjithsesi, do të kenë në shtëpi dy rezultate nga tre në dispozicion për të shkuar në gjysmëfinale.
SPORTING-ARSENAL 0-1
Arsenal afrohet me gjysmëfinalen e Champions League: në Lisbonë, “Gunners” fituan 1-0 ndaj Sporting. Pas një traverse për secilën skuadër – e para për vendasit me Araujo, e dyta për anglezët me Madueke – dhe një goli të anuluar në minutën e 63’ për Zubimendi për pozicion jashtë loje, ndeshja u vendos në kohën shtesë. Në minutën e 91’, Martinelli shpiku për Havertz, i cili kishte shënuar edhe në fundin e ndeshjes së parë të fazës së 1/8-ve ndaj Leverkusen: gjermani kontrolloi topin dhe e dërgoi në rrjetë. Tani skuadra e teknikut Arteta do të ketë në dispozicion dy rezultate nga tre për të kaluar turin dhe për t’u përballur me njërën mes Atletico Madrid dhe Barcelonës: vendimtar do të jetë takimi i kthimit në “Emirates”, i programuar për të mërkurën, më 15 prill.









