Shpërthimi me dy të plagosur në Tepelenë, policia jep detaje

29-vjeçari Xhulio Salaj është proceduar nga policia, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas dyshohet se posedonte sasi fitili zjarr-përcjellës dhe municioni luftarak, që u gjet në magazinën afër banesës së tij, në fshatin Mamaj. Në magazinë shpërtheu aksidentalisht një sasi lënde plasëse dhe si pasojë u dëmtuan ai dhe shoku i tij, shtetasi Lisien Shehu banues në Memaliaj.
Të dy të dëmtuarit vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 21.04.2026, për dëmtimin e 2 shtetasve, nga shpërthimi i një lënde plasëse, afër një banese, në fshatin Mamaj, Tepelenë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. S., 29 vjeç, banues në fshatin Mamaj, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, thuhet në reagimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.









