Integrimi pezull, Rama thërret mbledhje të Grupit Parlamentar të PS

Edi Rama i rikthehet mbledhjeve të zgjeruara të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, mbledhje që shpesh i ngjajnë edhe “gjyqeve publike”. Të hënën e javës së ardhshme socialistët do të mblidhen sërish në Pallatin e Brigadave në orën 11:00. Pritet të ketë një raportim për procesin e integrimit në BE nga ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha dhe kryenegociatorja, Majlinda Dhuka.
Fokusi do të jetë Kapitulli 24, që lidhet me fushën e lirisë, drejtësisë dhe sigurisë. Kujtojmë se Shqipëria ndodhet në një ngërc sa i përket integrimit pasi raporti IBAR nuk është miratuar ende. Kthesa e Brukselit ndaj Tiranës lidhet me mbrojtjen politike që Edi Rama i bëri të pandehurës, Belinda Balluku.
Një ditë më parë Brukseli dha lajmin se tashmë ka nisur puna për hartimin e traktatit/marrëveshjes së anëtarësimit në BE të Malit të Zi. Ndërsa Shqipëria qëndron pezull teksa skepticizmi në vendet europiane është rritur.








