Ekzekutohet me një plumb në kokë pronari i një karburanti në Sarandë (foto)

Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur vetëm pak minuta më parë në zonën e Gjashtës, në Sarandë. Viktimë ka mbetur pronari i një karburanti në këtë qytet, i identifikuar si Rexhep Ismaili, 66 vjeç.
Sipas burimeve paraprake nga vendngjarja, mësohet se viktima është qëlluar me një plumb në kokë, duke humbur jetën menjëherë. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të atentatit.
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin ku ndodhi krimi, duke rrethuar të gjithë zonën dhe nisur kontrolle intensive. Grupi hetimor po mbledh prova dhe dëshmi për të identifikuar autorin e vrasjes, si dhe për të hedhur dritë mbi motivet që çuan në ekzekutimin e pronarit të karburantit.

Deri në këto momente nuk ka ende informacion zyrtar nëse autori është identifikuar apo arrestuar. Ndërkohë, pritet një deklaratë për shtyp nga policia e Sarandë për më shumë detaje mbi këtë ngjarje të rëndë.









