E pazakontë/ Një fëmijë kopshti gjen një “thesar” në parkun e lojërave në Berlin

Një fëmijë kopshti në Wilmersdorf të Berlinit bëri një zbulim të papritur të hënën e 11 majit, teksa po luante në një park lojërash ku zbuloi një “thesar” më vlerë.
Sipas një njoftimi të policisë së kryeqytetit gjerman, monedha argjendi, bizhuteri ari, ora dore me vlerë të lartë, kartëmonedha 200-euroshe, me një vlerë totale prej 6,000 eurosh dhe një shufër e vogël ari u gjetën të groposura në tokë dhe nën shkurre.
“Po. E lexuat saktë. Një fëmijë gjeti një thesar të vogël teksa po luante. Sinqerisht tani – kush nuk do të shikonte pak më me kujdes nëpër shkurre herën tjetër që viziton një park lojërash?”, – shkroi me shaka deklarata e Policisë.
Fëmija njoftoi një mësuese kopshti dhe njërin prej prindërve, të cilët mblodhën sendet me vlerë dhe ia dorëzuan policisë. Pronari nuk është identifikuar ende. Policia po heton për të përcaktuar nëse sendet janë të vjedhura.









