Profil/ Gjithçka duhet të dini për trajnerin e ri të kombëtares, Rolando Maran

Trajneri i ri, magjistar i “skuadrave të vogla”, përfaqësues i shkollës tradicionale italiane nuk premton futboll spektakolar, por një lojë gjithmonë të identifikueshme, ekipe kompakte, linja të afërta, intensitet pa top dhe pragmatizëm ekstrem
Ndonëse objektivat e kombëtares mbeten të njëjtë, kualifikim për në Kampionatin Evropian dhe vend të parë në grupet e Europa League, caktimi i trajnerit të ri të të kuqve nuk premton të dhurojë spektakël për tifozët. Rolando Maran, italiani i pestë në drejtimin e skuadrës është idhtar i një futbolli të kujdesshëm që i jep prioritet mbrojtjes përpara sulmit, që më shumë kujdeset që të mos pësojë gola sesa të shënojë në portën e kundërshtarit.
63 vjeçari, që po merr stafetën nga Silvinjo, i cili nuk gjeti një marëveshje të kënaqshme fianciare me FSHF-në, ka drejtuar skuadra që kanë luftuar për mbijetesë në Serie A dhe për tu ngjitur në të nga kategoria e dytë, si Cagliari, Catania, Chievo, Genova nga shumica e të cilave e ka përfunduar karrierën me shkarkim.
Në fillim të viteve 2010 kulmin e suksesit e ka mbërritur tek Catania ku i renditi në vendit e tetë në Serie A, duke arritur dhe rekordin e fitoreve të kësaj skuadre në fushën e saj. “Mua më pëlqen të kem skuadër agresive, duhet të tregojmë që jemi të fortë në fushë, AND ime është kjo. Dua të transmetoj këtë gjë” tha ai në prezantimin e parë për publikun shqiptar, menjëherë pas nënshkrimit të kontratës dy vjeçare që përfundon në 2028-ën. Ai shtoi: “E kam ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare dhe keni gjithë komplimentat e mia. Kam mundësinë për të përfaqësuar një popull me krenari të madhe, diçka që ndjehet kur flet me një tifoz shqiptar. Dua të transmetoj këtë dashuri të madhe për këtë fanellë”. Lapsi.al mëson se Maran, një nga gjërat e para që ka bërë pasi ka marrë propozimin për të drejtuar kombëtaren tonë ka qenëme takimi me ish-teknikun De Biasi: “E njoh mirë, shumë lojtarë i njoh se kam parë shumë ndeshje të Shqipërisë, madje i kam riparë disa prej tyre. Kam folur me të, sepse është një mik i mirë dhe një trajner që e vlerësoj shumë për atë që ka dhënë. Më ka dhënë disa indikacione që i vlerësoj”.
Por njësoj si De Biasit dikur, apo Silvinjos të sapo larguar presidenti Duka duket se i ka vënë italianit objektiva të larta. “Objektivat tona mbeten aty ku duam të jemi, vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi për në EURO 2028, dhe më pas për të vazhduar me objektivin që se kemi arritur asnjëherë për të qenë pjesë e Botërorit”, tha presidenti i FSHF në ceremoninë e prezantimit. Sipas Dukës ai është tipi i teknikut që i përshtatet më mirë një skuadre si jona.
Këtë thonë dhe fishat teknike të Rolando Maran të lexuara nga Lapsi.al për klubet italiane që ai ka drejtuar. Ai njihet si një trajner që nxjerr maksimumin nga ekipe me buxhet të vogël dhe me lojtarë mesatarë. Ai konsiderohet një trajner pragmatik, shumë i organizuar taktikisht dhe me vëmendje të madhe te ekuilibri mbrojtës. Ai nuk është një trajner “spektakli” apo shumë ofensiv, por një teknik që synon t’i japë skuadrës strukturë, kompaktësi dhe identitet.
Trajneri që preferon zakonisht skema 4-3-1-2; 4-3-2-1 ose 4-4-2 “përfaqëson shkollën tradicionale italiane të organizimit taktik: më shumë ekuilibër sesa estetikë, më shumë strukturë sesa improvizim”- thonë ata që kanë studiuar stilin e tij.
Marano që për një italian ka difektin e të qenit pak medatik, ka qasje tradicionale në menaxhimin e grupit. Ato tek të cilat këmbëngul me insistim janë disiplina, puna dhe hierarkia e qartë.
Këto cilësi u panë më së miri kur ai mori drejtmin e Chievo Verona, në 2015–16. Pikërisht aty ai ndërtoi reputacionin si një nga trajnerët më të mirë italianë për organizim dhe maksimizim të potencialit të skuadrës.
Ndonëse Chievo ishte një klub me buxhet shumë të vogël, me pak yje dhe objektiv kryesor mbijetesën, Maran ariti të ndërtojë një skuadër shumë të organizuar, të vështirë për t’u mundur, fizikisht të fortë dhe me identitet të qartë taktik. Chievo përfundoi rreth mesit të tabelës në Serie A, duke qenë shumë larg zonës së rënies nga kateoria dhe shpesh duke marrë rezultate të mira kundër skuadrave më të forta. Deviza e Maran atë kohë ishte: “Do t’i kërkoj skuadrës të jetë e shkurtër, e lirë mendërisht dhe e guximshme”.
Në disa momente Chievo ishte ndër mbrojtjet më solide të kampionatit në raport me nivelin e skuadrës, dhe konsiderohej një nga ekipet më “të bezdisshme” për t’u përballur.
Edhe kur u riktye te Cagliari Calcio ne 2019 ai pati një periudhë shumë të mirë, sidomos në fillim.
Cagliari për disa muaj luftoi për zonën europiane, luante futboll më agresiv se zakonisht për standardet e Maran, dhe kishte ekuilibër shumë të mirë. Por më pas skuadra ra fizikisht dhe psikologjikisht, dhe projekti humbi vazhdimësinë.
Kjo do të jetë pak a shumë edhe fizionomia e skuadrës sonë në vitet 2026 2028. Një nga deklaratat e para që trajneri i ri bëri ishte: “Shqipëria është ekipi i një populli shumë krenar. Dua të transmetoj në fushë këtë krenari për fanellën”. Ai pritet ta realizojë këtë përmes një filozofie tashmë të përcaktuar qartë, si “magjistar i skuadrave të vogla. Ky përfaqësues i shkollës tradicionale italiane të organizimit taktik nuk premton “futbollin shampanjë alla Francë apo Brazil , por një lojë gjithmonë të identifikueshme: skuadra kompakte, linja të afërta, intensitet pa top dhe pragmatizëm ekstrem”. Pra me të duhet ta harrojmë spektaklin dhe të lutemi që të kemi fat në rezultate.











