Del sondazhi/ Trump, me popullaritetin më të ulët që nga marrja e mandatit

Popullariteti për Presidentin Donald Trump ka rënë në pikën e tij më të ulët që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, sipas një sondazhi të ri të Reuters/Ipsos.
Sondazhi, i cili përfundoi të hënën, tregon se 35% e amerikanëve e miratojnë punën që ai po bën, një pikë më lart nga sondazhi i mëparshëm (34%) i regjistruar në një sondazh tjetër muajin e kaluar. Në fillim të mandatit të tij në janar 2025, vlerësimi i tij i miratimit ishte 47%.
Popullariteti i presidentit është goditur nga çmimet e larta të karburantit që nga fillimi i luftës me Iranin në shkurt. Në SHBA , çmimi i benzinës është rritur me pothuajse 50% dhe aleatët republikanë të Trump janë të shqetësuar, përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor për të rinovuar Kongresin.
Pakënaqësia po përhapet brenda partisë së Trump. Më shumë se 2 në 10 republikanë (21%) thonë se nuk e miratojnë performancën e presidentit (në krahasim, në janar 2025, kjo shifër ishte vetëm 5%). Megjithatë, 79% (91% në fillim të mandatit të tij) thonë se presidenti po bën një punë të mirë.
Republikanët duken kryesisht të pakënaqur me mënyrën se si Trump po e trajton koston në rritje të jetesës për amerikanët, një çështje që ai kishte premtuar ta trajtonte gjatë fushatës.
Vetëm 47% e miratojnë trajtimin e tij të çështjes, ndërsa 46% thonë se ai nuk po bën një punë të mirë. Në përgjithësi, vetëm 1 në 5 amerikanë e miratojnë mënyrën se si Trump po e trajton uljen e kostos së jetesës.
Gjithashtu, vetëm 62% e republikanëve e miratojnë mënyrën se si presidenti e ka trajtuar situatën në Iran, ndërsa 28% nuk e miratojnë. Shumica dërrmuese e demokratëve nuk e miratojnë, ashtu si edhe dy të tretat e të pavarurve. Në përgjithësi, vetëm një në katër – dhe rreth gjysma e republikanëve – thonë se veprimi ushtarak në Iran ia vlente.
Sondazhi u krye në internet midis 1,271 të rriturve në të gjithë vendin. Marzhi i gabimit është plus ose minus 3 pikë për të gjithë të anketuarit dhe 5 pikë për republikanët.









