POLITIKË

Kuvendi miraton ndryshimet në rregullore pas dakordësisë mes pozitës dhe opozitës

Seanca plenare e së enjtes përfundoi me miratimin e gjashtë ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, pas dakordësisë së arritur mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. 

Ndryshimet u votuan me 100 vota pro dhe 1 kundër.

Me 75 vota pro dhe 22 kundër u miratua ratifikimi i kontratës financiare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve për projektin “Porta e Alpeve”.

Po ashtu, me të njëjtin rezultat votash kaluan edhe projektligjet për ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë” dhe në ligjin “Për burimet ujore”.

Gjatë diskutimeve, Partia Socialiste tërhoqi propozimin që projektligjet e kërkuara nga Bashkimi Evropian të shqyrtoheshin me procedurë të përshpejtuar brenda një jave. Sipas dakordësisë së arritur, ligjet që lidhen me integrimin evropian do të shqyrtohen me procedurë normale, përveç rasteve kur qeveria paraqet kërkesë të arsyetuar për përshpejtim.

U tërhoq gjithashtu edhe propozimi për shmangien e raportimeve të institucioneve të pavarura në seancë plenare. Institucionet e parashikuara në Kushtetutë do të vijojnë të raportojnë në komisionet parlamentare, të cilat më pas hartojnë një projektrezolutë.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që koha e diskutimeve në seancë plenare të mbetet 10 minuta, duke mos u përgjysmuar në 5 minuta siç ishte propozuar fillimisht. Po ashtu, parashikohet që Kryetari i Kuvendit të ndërhyjë në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion.

Një tjetër ndryshim lidhet me kohëzgjatjen e seancave plenare. Me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca mund të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse. Gjithashtu, u miratua edhe kërkesa e opozitës që masat disiplinore të pezullohen automatikisht në rast se ankimohen në Byronë e Kuvendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button