AKTUALITET

“Paguajmë deri në 40 mijë lekë faturë, por ujë s’kemi”/ Revolta e banorëve të Lalarit: Na vjen vetëm një herë në tre ditë

Fier – Banorët e fshatit Lalar, në njësinë administrative Portëz të Bashkisë Fier, po përjetojnë një situatë alarmante në kulmin e sezonit veror. Në një kohë kur temperaturat kanë arritur nivele të larta dhe nevoja për ujë është jetike, ata thonë se furnizohen me ujë të pijshëm vetëm një herë në tre ditë, ndërsa sasia që u shkon në çezma është aq e vogël, sa nuk mjafton as për të mbushur depozitat e banesave.

Të revoltuar, banorët shprehen se prej kohësh kanë ngritur shqetësimin pranë institucioneve përgjegjëse, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë zgjidhje konkrete. Ata thonë se janë lënë në harresë dhe se çdo verë përballen me të njëjtin problem.

Për të siguruar ujin e nevojshëm për familjet e tyre, banorët detyrohen të mbushin ujë në puset e fqinjëve ose të blejnë ujë nga autobotët privatë që furnizojnë zonën. Ky ujë përdoret për gatim, duke u kthyer në një kosto shtesë për familjet.

Ironia, sipas tyre, është se ndërkohë që nuk marrin shërbimin bazë, vijojnë të paguajnë rregullisht faturat e ujit.

“Faturat arrijnë deri në 40 mijë lekë të vjetra në muaj. Nëse nuk i paguajmë në kohë, na vendosin kamatëvonesa, por kur vjen puna te furnizimi me ujë, askush nuk mban përgjegjësi”, shprehen banorët.

Përveç mungesës së ujit, ata ngrenë shqetësime edhe për infrastrukturën e amortizuar të fshatit. Rrugët janë të mbushura me gropa dhe, sipas tyre, janë bërë një problem serioz për qarkullimin e automjeteve, mjeteve bujqësore dhe transportin e përditshëm të banorëve.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Ujlsjellësi Fier dhe institucionet përgjegjëse për të garantuar furnizim të rregullt me ujë të pijshëm dhe për të rehabilituar rrugët e fshatit.

Lalari, pjesë e njësisë administrative Portëz, dikur numëronte rreth 450 familje, ndërsa sot ka më pak se 250 banorë. Sipas tyre, mungesa e investimeve në shërbimet bazë po e zbraz gradualisht fshatin, duke detyruar gjithnjë e më shumë familje të largohen në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button