Përplasje e fortë në aksin Fier–Levan, dy të plagosur! Aksidenti pranë Qafës së Koshovicës bllokon qarkullimin

Fier – Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në aksin Fier–Levan, pranë zonës së njohur si Qafa e Koshovicës.
Sipas informacioneve paraprake, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe, si pasojë e goditjes së fortë, dy drejtuesit e mjeteve kanë mbetur të plagosur.
Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Deri më tani nuk dihen detaje mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, si dhe për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.
Aksi Fier–Levan, veçanërisht në zonën e Qafës së Koshovicës, konsiderohet prej vitesh një nga pikat me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore. Gjatë sezonit veror, kur fluksi i automjeteve rritet ndjeshëm, në këtë segment regjistrohen shpesh ngjarje të ngjashme, duke e kthyer atë në një nga “njollat e zeza” të qarkullimit rrugor në qarkun e Fierit.









