Aksident në aksin Divjakë–Tre Urat, përplasen kokë më kokë dy automjete në Gërmenj

Lushnje – Një aksident rrugor është regjistruar këtë të diel në aksin Divjakë–Tre Urat, në fshatin Gërmenj, ku dy automjete janë përplasur kokë më kokë.
Në aksident janë përfshirë një automjet tip Toyota dhe një Audi. Si pasojë e përplasjes janë lënduar disa persona.
Ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke transportuar dy të lënduar drejt Qendrës Shëndetësore të Divjakës për ekzaminime dhe ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, sipas të dhënave paraprake, asnjë prej tyre nuk ka pësuar lëndime serioze.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po dokumentojnë rrethanat e aksidentit dhe po menaxhojnë qarkullimin e automjeteve. Trafiku është rënduar për shkak se kjo rrugë rurale përdoret gjerësisht gjatë sezonit veror nga drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt plazhit të Divjakës dhe destinacioneve të tjera turistike.
Sipas të dhënave të para nga vendi i ngjarjes, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e manovrave të gabuara të drejtuesve të automjeteve. Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit vijojnë.









