Demokratët Europianë: Dua Lipa i dha botës zërin e “Flamingo Revolution”

Grupi politik European Democrats ka reaguar pas deklaratës së artistes me famë botërore Dua Lipa lidhur me atë që është quajtur “Flamingo Revolution” në Shqipëri, duke vlerësuar se zëri i saj i ka dhënë jehonë ndërkombëtare debatit për mbrojtjen e mjedisit.
Në një postim në rrjetet sociale, European Democrats shprehen se kur Dua Lipa flet për “Flamingo Revolution”, ajo i jep dukshmëri globale një çështjeje që, sipas tyre, çdo demokraci duhet ta përballet: “Kush përfiton realisht?”.
Sipas këtij grupimi politik, deklarata e artistes “depërton përtej shkëlqimit që rrethon një zhvillim luksoz të mbështetur nga interesa të fuqishme”, ndërsa theksohet se mbrojtja e natyrës nuk mund të varet nga ndryshime ligjore të kryera me dyer të mbyllura dhe pa konsultim publik.
“Le t’i përhapim këto fjalë: Edi Rama nuk mund të përballojë më të injorojë atë që kërkon populli shqiptar”, thuhet në reagimin e European Democrats. Reagimi vjen pasi Dua Lipa shprehu publikisht mbështetjen e saj për kauzën e mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri, duke rikthyer në vëmendje debatin mbi projektet e zhvillimit në zonat e mbrojtura dhe ndikimin e tyre në natyrë.










