AKTUALITET

Marshim në Tiranë: Diaspora do të rikthehet sërish në Bulevard

U mbajt sot protesta e 65-të para Kryeministrisë. Qytetarët kanë nisur marshimin e radhës në bulevard, duke vijuar aksionin e tyre të përditshëm të rezistencës.

Sikurse në netët e mëparshme, protestuesit do të marshojnë në disa akse të kryeqytetit, ndërsa në duar mbajnë pankarta dhe vijojnë me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.

Gjatë marshimit dëgjohen thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa protestuesit kërkojnë ndryshim politik dhe përgjegjësi për problematikat që, sipas tyre, po përballon vendi. Qytetarët, të mbledhur prej 65 ditësh në protestë, deklarojnë se do të vijojnë të dalin në shesh dhe në rrugët e Tiranës deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Ajo që nisi si një reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec është shndërruar në një lëvizje qytetare më të gjerë, me protesta të përditshme kundër qeverisë dhe asaj që organizatorët e cilësojnë si “kastë politike”. Për më shumë se dy muaj, tubimet janë shoqëruar me marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe me thirrje të vazhdueshme për ndryshim politik.

Një aktivist ka paralajmëruar pjesëmarrjen masive të Diasporës në datat 14, 15 dhe 16 gusht. Ai theksoi se lëvizja do të vijojë pa ndërprerje deri në dorëheqjen e kreut të qeverisë, duke shtuar se e vetmja mundësi për ta shmangur këtë është largimi i tij para datës 14 gusht.

Gjatë protestës së radhës kundër kryeministrit Edi Rama, ai u shpreh se, mbërritja e Diasporës do t’i japë një hov të ri protestave, duke e detyruar kryeministrin të largohet para fillimit të muajit shtator.
Aktivisti përsëriti se qëndresa qytetare nuk do të ndalet derisa të arrihet synimi i saj kryesor politik.

“Kjo protestë do vazhdojë derisa Edi Rama të dorëhiqet. Diaspora do të vijë në mënyrë masive në 14, 15 dhe 16 gusht. E vetmja mënyra që kjo gjë të mos ndodhë është që Edi Rama të jetë dorëhequr deri më 14 gusht. Por edhe nëse nuk ndodh është e sigurt që pasi të vijë Diaspora ai do të largohet dhe nuk do presë 1 shtatorin”, tha ai. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button