25 gushti fillimi i ndryshimeve për qeverisjen e vjeshtës, Edi Rama spastrime në kabinet, priten surpriza të…

25 gushti fillimi i ndryshimeve për qeverisjen e vjeshtës, Edi Rama spastrime në kabinet, priten surpriza të pakëndshme për një pjesë të ministrave
Prej javësh korridorët e politikës po dridhen nga lëvizjet e befasishme që pritet të marrin jetë gjatë ditëve të ardhshme. Kryeministri Edi Rama ka vendosur të prishë zyrtarisht pushimet e verës për të gjithë kabinetin e tij qeveritar. Ky aksion i ri politik nis pikërisht më 24 dhe 25 gusht në qytetin e Pogradecit, ku do të zhvillohet “retreat-i” i përvitshëm. Gjatë këtij takimi informal dyditor, secili ministër do të vendoset përballë skanerit të rreptë të llogaridhënies. Të gjithë anëtarët e qeverisë do të duhet të raportojnë bilancet e punës dhe objektivat e reja për vjeshtën.
Prapaskenat
Por nivelit të ankthit në selinë rozë i është shtuar sprova e madhe që pritet të ndodhë në fillim të muajit shtator. Përpara seancës së parë parlamentare të datës 7 shtator, Rama pritet të mbledhë urgjentisht Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ajo mbledhje konsiderohet nga të gjithë si momenti kritik ku do të shpallen ndryshimet e thella në përbërjen e kabinetit.
Sinjalet e para flasin për një rifreskim rrënjësor ku rrezikohet fati i të paktën 6 ministrive kryesore në vend. Megjithatë stuhi e madhe po paralajmërohet veçanërisht për njerëzit e afërt të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Mes emrave me “karton të kuq” përmenden ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, të cilët mund të largohen nga kabineti. Gjithashtu, në fije të perit ndodhet edhe ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e cila mund të largohet.
Por tronditja më e madhe pritet të godasë direkt dikasteret strategjike të lidhura me financat, energjinë, infrastrukturën dhe mbrojtjen. Ministri i Financave Petrit Malaj, Ministri i Transporteve dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi janë në listën e zezë. Këta tre të fundit shihen si bashkëpunëtorë të ngushtë të Ballukut, ndaj largimi i tyre konsiderohet si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj këtij klani brenda mazhorancës. Pikërisht me 25 gusht do të përcaktohet përfundimisht fati i kanakarëve të Belinda Ballukut alias “Bela Lubisë” , të cilët duket se i kanë ditët e numëruara në karriget e tyre shtetërore.
Madje mbledhja e Pogradecit do të shërbejë si gjyqi përfundimtar për të gjithë ata që deri sot mbroheshin nga ombrella e saj politike. Ndërkohë surpriza mjaft të pakëndshme po përgatiten për shumë prej drejtuesve që e ndjenin veten të paprekshëm. Pra e gjithë kjo tregon se vjeshta e re politike do të nisë me një kabinet të transformuar tërësisht dhe me një spastrim të pamëshirshëm nga dora e vetë kryeministrit. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë konkretisht gjatë këtij procesi. Kryeministri Edi Rama njihet si një figurë politike që i pëlqejnë shumë surprizat dhe shpeshherë është treguar i aftë të ndryshojë mendje në momentin e fundit.








