Mediat greke dhe italiane, jehonë arrestimit të Vlora Hysenit

Agjencia e lajmeve ANSA i ka kushtuar vëmendje çështjes së Vlora Hysenit. “Një urdhër arresti është lëshuar për Vlora Hysenin, drejtoreshë e shërbimeve të inteligjencës shqiptare dhe një shtetase nga Kosova” – shkruan agjencia italiane e lajmeve.
Sipas ANSA, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) urdhëroi masën paraprake si pjesë e një hetimi ndaj biznesmenit Ergys Agasi, i cili akuzohet për korrupsion në lidhje me tenderët e Agjencisë Shtetërore për Sistemet e Informacionit.
“Agasi, i cili kishte qenë në arrati për disa muaj, u arrestua gushtin e kaluar. Sipas raportimeve të medias, ajo akuzohet për “zbulim të sekreteve shtetërore”. Hetimi përfshiu edhe ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda; shtëpia e tij u kontrollua dhe telefoni i tij u sekuestrua, por ndaj tij nuk u morën masa paraprake. Megjithatë, drejtori i laboratorit të policisë mjeko-ligjore dhe një kriminalist janë arrestuar” – shkroi ANSA.
Edhe mediat greke i kanë dhënë hapësirë lajmit.
Gazeta greke “Protothema” shkruan se “ky është skandali më i fundit i korrupsionit që godet qeverinë e kryeministrit Edi Rama, i cili është përballur me një sfidë prej muajsh për shkak të një plani të diskutueshëm për një kompleks turistik në pjesën jugore të vendit, i mbështetur nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner”.
Në shkrim thuhet se Hyseni ka drejtuar Shërbimin Shtetëror të Inteligjencës së Shqipërisë (SHISH) që nga viti 2023. Emërimi i saj shkaktoi polemika në Shqipëri për shkak të shtetësisë së saj kosovare dhe rolit të saj të mëparshëm si zëvendëskryetare e shërbimeve të inteligjencës së Kosovës, nga i cili u shkarkua.
“Ish-shefi i policisë Ilir Proda, i cili u shkarkua nga detyra në fillim të këtij viti, u paraqit gjithashtu para SPAK këtë mëngjes si pjesë e të njëjtit rast. Hetimi po synon gjithashtu Ermal Beqirin – i cili u arrestua në Francë në fund të gushtit – dhe biznesmenin Ergys Agasi, i cili u arrestua më 26 gusht” – thekson gazeta greke.








