OP/ AN

Historitë rozë po mbysin korrupsionin.

Nga Kejdi Mehnetaj – Mjaft me historitë rozë. Si dashuron Vlora nuk i intereson askujt. Njësoj siç nuk na ka interesuar për çfarë të brendshmesh shpenzohen paratë e dyshuara të korrupsionit. Këto detaje mund të bëjnë lajm, por shërbejnë për të fshehur lajmin e vërtetë.

Lajmi është se njerëzit e vendosur në krye të institucioneve më të rëndësishme të shtetit dalin njëri pas tjetrit përpara drejtësisë. Drejtuesja e SHISH-it, drejtuesja e AKSHI-t, ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, ministra, zëvendëskryeministra, deputetë. Disa janë arrestuar, disa janë në kërkim, për disa është kërkuar arrestimi. Dhe sa të tjerë mungojnë në këtë foto?

Këta njerëz nuk ranë nga qielli. Kanë një emërues të përbashkët: Edi Ramën. Ai i përzgjodhi, i solli në pushtet, u besoi institucionet dhe u dha mbështetje politike. Kur e njëjta histori përsëritet në polici, në shërbimin sekret, në administrimin e të dhënave shtetërore dhe në qeveri, nuk mund të flitet më për raste të veçuara apo për një kryeministër që “nuk dinte gjë”.

Kjo është përgjegjësia e tij. Dhe pikërisht kjo po tentohet të mbytet nën thashetheme për pasione personale. Çështja nuk është kush dashuroi kë, por kush e vuri shtetin në duart e tyre dhe pse i mbajti aty.

Kemi thënë prej vitesh se shteti është bërë një me krimin. Sot kjo fjali nuk mjafton më: shteti vetë është bërë krimi. Narkotrafik, korrupsion, dyshime për nxjerrje të sekreteve shtetërore — dhe në krye të këtij sistemi vazhdon të qëndrojë njeriu që ka pasur pushtetin për t’i emëruar dhe për t’i mbrojtur.

Çdo debat që shmang përgjegjësinë e Ramës është një mënyrë për ta mbajtur në këmbë këtë sistem. Ai duhet të japë dorëheqjen. Përgjegjësia e tij duhet të hetohet deri në fund dhe çdo vepër penale e provuar të dënohet. Vetëm largimi i këtij pushteti mund t’i hapë rrugë shërimit të Shqipërisë.

  • Marr nga llogaria e saj në rrjetin social facebook.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button