AKTUALITETTOP-NEWS

“Rama po largohet”/  Prençi zbulon rolin e ri: Negociator për Izrael- Palestinë, krijohet qeveri teknike.

Një deklaratë e fortë për të ardhmen politike të kryeministrit Edi Rama është bërë nga Shemsi Prençi në emisionin “Kjo Javë” në News24.

Prençi deklaroi se Rama mund të largohet nga posti i kryeministrit në mënyrë të butë dhe se, sipas informacioneve që ai pretendon se disponon, kreu i qeverisë është në negociata për të marrë një detyrë jashtë Shqipërisë, në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas Prençit, largimi i Ramës do t’i hapte rrugë krijimit të një qeverie teknike në Shqipëri.
“Kryeministri në formë të butë do të largohet vërtetë. Është në tratativa për të pasur një punë në vendet e BE-së, do t’i hapë rrugë qeverisë teknike”, deklaroi Prençi.

Por deklarata më e bujshme ishte pretendimi se Edi Rama mund të marrë një rol ndërkombëtar në përpjekjet për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

“Kam informacione se Rama do të jetë negociator për paqe mes Izrael-Palestinë”, u shpreh Prençi.

Gjatë emisionit, ai hodhi gjithashtu akuza të tjera në drejtim të strukturave të shtetit dhe drejtuesve të institucioneve, duke pretenduar se ekzistojnë komunikime mes zyrtarëve dhe grupeve kriminale.

“Dilte emri i Drejtorit të Policisë gjashtë muaj para se të ndryshonte ligji që u jepte mundësinë të vendosej. Këta kanë komunikime me bandat. Do qeshni kur të mësoni se sa i implikuar është Ardi Veliu”, deklaroi Prençi.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin për degradim të institucioneve dhe të opozitës, ndërsa theksoi se largimi i Ramës do të bëhej, sipas tij, vetëm nëse do të kishte garanci diplomatike.

Deklaratat e Shemsi Prençit janë pretendime të tij dhe deri në këtë moment nuk përbëjnë një konfirmim zyrtar se Edi Rama do të largohet nga posti i kryeministrit, se do të krijohet një qeveri teknike apo se do të marrë një rol si negociator në konfliktin Izrael-Palestinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button