AKTUALITET

TCH nxjerr dëshmitë e kreut të SPAK për Ballukun: I bëri presion vartëses

Emisioni “Fiks Fare” në TCH ka publikuar dëshmitë e grupit të prokurorëve që po hetojnë zv.kryeministren Belinda Balluku, të dhëna në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në mbledhjet e datave 19 dhjetor 2025 dhe 23 shkurt 2026.

Në këto mbledhje, grupi i prokurorëve, të kryesuar nga drejtuesi i SPAK, Klodian Braho dhe prokurori Dritan Prençi, lexuan para deputetëve dëshminë e Mirzeta Kashnicës, punonjëse në Ministrinë e Infrastrukturës, dhënë para prokurorëve të SPAK-ut, pasi ka bashkëpunuar dhe ka treguar shkeljet e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Prokurori i çështjes Dritan Prençi tregoi detaje nga dosja, duke rrëfyer se dëshmitarja është kërcënuar me jetë, nga të fortë dhe punonjës të kabinetit të ministres. Organi i akuzës kërkoi dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë. Në mbledhjen e datën 19 dhjetor, pavarësisht se prokurorët artikuluan se po kërcënohen dhe intimidohen dëshmitarët, nuk u mor asnjë vendim.

“Në kuadër të cenimit të mbledhjes së provave, por duke pasur parasysh edhe rrethanat e faktit penal, që janë rënduar, organi procedues edhe në këto momente vijon me hetimet, me mbledhjen e provave, prova shkresore dhe dëshmitarë”, tha prokurori i çështjes.

Ndërkohë, drejtuesi i SPAK-ut artikuloi se “meraku që kemi ne është që sekreti të ruhet dhe të plotësohen deklaratat”.

Prokuroria tha në mbledhjen e dhjetorit se se është një sasi e madhe prej 13 volumesh, të cilat i kanë paraqitur të listuara për t’u aksesuar nga gjithsecili.

Mbledhja e fundvitit të kaluar u shty pa marrë një vendim dhe pa datë se kur do të mblidhej. Më pas, sipas dokumenteve që disponon Fiks Fare, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh në datë 23 shkurt 2026. Në këtë seancë, prokurorët e SPAK-ut artikuluan se dëshmitarja Mirzeta Kashnica, punonjëse në Ministrinë e Infrastrukturës, është kërcënuar me jetë nga grupe kriminale dhe nga punonjës të kabinetit.

“Në vijim të hetimit, ka rezultuar se, e pandehura Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi i procedurës, ndërkohë që ushtronte detyrën si zëvendëskryeministre e Republikës së Shqipërisë dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur në këtë procedim penal, konkretisht; shtetases Mirzeta Kashnica, vartëse e saj. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqet rrezik real në mbledhjen e provave për shkak të detyrës dhe funksionit që ushtron. Është evident fakti që tashmë e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët”, tha prokurori Dritan Prençi.

Kërcënimet ndaj dëshmitares janë evidentuar edhe nga Ardian Kalia, avokati i zonjës Balluku.

“Prokuroria e Posaçme pretendon se është shkelur masa e sigurimit nga ana e zonjës dhe se ka intimiduar ose helmuar provat” tha Ardian Kalia, avokat i Ballukut.

Prokurori i çështjes, Dritan Prençi, ka relatuar se dëshmitarja Mirzeta Kashnica, pasi ka bashkëpunuar, është kërcënuar me jetë. Ndërkohë, drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho, thotë se mosdhënia e autorizimit për arrestim sjell rrezik për prishjen e provave.

“Te relacioni dhe provat mbështetëse ne kemi paraqitur procesverbalin e transkriptimit të përgjimit të bisedave, të lejuara me vendim të gjykatës, të datës 20.11.2025, mes Mirzeta Kashnica dhe një personi tjetër. Në përmbajtje të këtij transkriptimi, rezultojnë të dhëna për intimidimin e personit, tashmë të marrë të pandehur, Mirzeta Kashnica, por edhe të personit tjetër bashkëbiseduar, e theksoj, me të cilën bisedon zonja, pasi edhe ajo, të cilën nuk po e përmend si emër, është person ndërveprues në procedurën e prokurimit, për të cilën është marrë e pandehur Kashnica”, ka vijuar prokurori Prençi.

Më tej ka shtuar se zonjat janë specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, vartëse të ministres.

“E pandehura Mirzeta Kashnica ka pasur një bashkëpunim me organin procedues. Ka përmbajtje, siç edhe duhet të jeni njohur, që zonja është e frikësuar, përmend edhe emrat se nga kush është e frikësuar, emër zyrtar, por edhe persona të fortë në rang grupesh të tjera. Përmend tundimin nëpërmjet korrupsionit që të ndryshojë thëniet apo edhe të zëvendësojë mbrojtësin e saj me një mbrojtjes të pëlqyer nga personat që i vetëofraohen” pohon Dritan Prençi.

Nga ana tjetër, drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho, tha se: “Duke pasur parasysh bisedën, krijojmë një lloj dyshimi se ekziston rreziku që të jenë dëmtuar provat. Kemi një bisedë konkrete që krijon dyshime serioze që ka ndodhur, sepse bashkëbiseduesit në atë bisedë u referohen pikërisht personave nga kabineti i ministrit. Duke qenë se është kjo mundësi, se mund të mos jesh edhe në funksion, por ke diku një person tjetër që ka pushtet mbi dëshmitarin, që është drejtori i dëshmitarit, për shembull”.

Ndërkohë, prokurori që ka në dorë aktet ndaj zonjës Balluku dhe zyrtarëve të tjerë, tha se “në përmbajtje të asaj çfarë ka prodhuar ky transkriptim i bisedave të përgjuara, bëhet fjalë për intimidim nga persona jozyrtarë. Aty përmenden ‘të fortë’, e përmend vetë zonja, pra persona jozyrtarë. Pastaj, nga personat zyrtarë bëhet fjalë për persona nga kabineti i ministrit, është e shkruar”.

Në fund, prokurori Dritan Prençi rrëfeu në Kuvend dëshminë e Mirzeta Kashnicës.

“Tani, në procesverbalin e transkriptimit të përgjimit të datës 16.12.2025, të cilin ne e kemi paraqitur si provë në relacionin, në faqen e parë, nga katër faqe të këtij procesverbali, është dëshmia”, vijoi prokurori, ku në fund lexoi dëshminë e Mirzeta Kashnicës.

“E kam gjetur kush ma kë bërë deri tani. Nuk ia kam thënë asnjërit, përveç asaj te kabineti i ministres, se ajo vinte që më bënin presion, moj motër; më kërcënonin në shtëpi, më dërgonin njerëz. Për Zotin, po më dërgonin njerëz; më sillnin babanë në 10 të darkës, kërcënime për dhjetë ditë; do të heqim mamanë nga puna, motrën, ty. Mirë, i thosha, mua nuk më bën do presion. Ia thashë në sy; mua nuk ma ndjen fare për presion, i thashë. Po, fare i thashë, madje edhe nëse sa lekë do, e ke parasysh, hap gojën. Kjo për personat zyrtarë, kurse pastaj vijon edhe me persona të tjerë”, ka dëshmuar punonjësja Mirzeta Kashnica. /TCH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button