Përplasja Balluku – TCH/ “Fiks Fare” nxjerr dëshminë: Të fortët më kërcënuan

Tashmë është e hapur përplasja mes ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe Top Channel. Pas emisionit të parë të “Fiks Fare” ku ish-numri 2 i qeverisë akuzohej se ushtronte ende influencat e saj në ministri edhe pas shkarkimit, Balluku e akuzoi televizionin kombëtar si “gjobëvënës”. “Fiks fare i është kthtyer sërish kësaj çështjeje.
Mbrëmjen e së mërkurës “Fiks Fare” ka sjellë dëshminë me zë dhe figurë të babait të Mirzeta Kashnicës, punonjëses në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është kërcënuar me jetë, pas bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme për dosjen ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Para gazetarëve të emisionit investigativ, Zaim Krasniqi (alias Dhimitër Kashnica), babai i Mirzetës, e cila është marrë e pandehur në të njëjtën dosje me ish-ministren, tregon kalvarin e gjatë të së bijës, kërcënimet me jetë si dhe vetëvrasjen e bashkëshortit të punonjëses.
Historia fillon me një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit, tunelin e Llogorasë, pjesë e aksit rrugor Orikum-Himarë, në autostradën Vlorë-Sarandë. Por përpara se të bëhej realitet, projekti kaloi në dy procedura tenderimi. Tenderi i parë u hap më 11 dhjetor 2020, me një fond limit prej rreth 19.1 miliardë lekësh. Në garë morën pjesë 6 operatorë ekonomikë, por procedura u anulua në prill 2021, me argumentin se asnjë ofertë nuk ishte në përputhje me dokumentet e tenderit.
Mes ofertave ishte edhe ajo e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, rreth 140 milionë euro, e cila rezultonte oferta më e ulët. Vetëm pak muaj më vonë, më 22 qershor 2021, tenderi u rihap. Këtë herë fondi limit ishte rreth 18.9 miliardë lekë pa TVSH. Në garë u paraqitën 5 oferta dhe fitues u shpall bashkimi i kompanive turke “Intekar” dhe “ASL”, me një ofertë rreth 170 milionë euro pa TVSH. Pikërisht kjo procedurë është sot objekt i hetimit të SPAK.
Sipas SPAK, zonja Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar procedurën nga faza përgatitore deri te lidhja e kontratës. Ndërsa pesë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave ishin Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica. Të gjithë janë marrë të pandehur për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. SPAK pretendon se fituesi ishte paracaktuar dhe se kompanisë fituese iu krijuan avantazhe dhe privilegje të padrejta.
Por, në këtë histori, ka edhe një tjetër element. Mirzeta Kashnica, një prej anëtarëve të komisionit, në dëshminë e saj për SPAK ka deklaruar se në procedurën e parë ajo vlerësonte se “Gjoka Konstruksion” i përmbushte kriteret dhe duhej të shpallej fituese. Ajo ka deklaruar gjithashtu se më pas është vënë nën presion për qëndrimin e saj dhe për firmosjen e dokumenteve. Këto janë pretendime të pasqyruara në dëshminë e saj dhe do të duhet të vlerësohen nga drejtësia.
Por përtej dosjes dhe dokumenteve, grupi i Fiks Fare vendosi të shkojë te njerëzit që e njohin më nga afër Mirzeta Kashnicën. Te familja e saj. Dhe aty, babai i saj, u rrëfeu gazetarëve të emisionit investigativ një tjetër histori, atë të presioneve që, sipas tij, familja ka përjetuar.
“Ajo nuk firmosi për Zvërnecin, nuk firmosi për Llogoranë, nuk firmosi për Sazanin dhe për dy LOT-e sepse ishte shtatzëne. Çupën time tall ai që u hodh gjithandej në tiktok e televizor ‘e morën punonjësen e Ballukut, e ulën në karrige, i lidhën duart, i lidhën një tenije këtu (i referohet gojës) edhe i nxorën një thikë me pika gjaku’ – nëse i keni parë këto të Ramës” thotë babai.
Më tej shtoi se vajzën e ka me fatkeqësi të madhe. “Vjet i vrau veten burri! Ka dy fëmijë, djalë e vajzë. Burri ishte shofer i ministrit të Brendshëm, Bled Çuçit. Në atë moment ishin edhe këto problemet me Ballukun pasi ajo firmoste e vuloste çdo gjë” vijon ai. Më tej shton se Mirzeta nuk ka firmosur asnjë gjë, nuk pranonte as dhurata, asgjë. “Kur bëri unazën e tretë, kjo ishte te komisioni që do bëhej konkurrimi. Ishin tre veta që kishin hedhur unazën e tretë. Çupa ime një vit me tabelë me çantë nëpër shi e kontrollonte andej në Yzberisht. Kontrollonte komplet linjën ku do bëhej. Edhe thotë Rama ‘kush është kjo që do bëj këtë unazën, nga është ai që ka bërë unazën e tretë? Nga Fieri – O, provincial qenka?! Çupës sime i iku truri. Dhe ajo ja mbajti këtu (vathë në vesh)” thotë më tej ai.
Më pas tregon edhe momentin që vajza e tij ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Posaçme. “Tani që doli Rama të tallej me të në televizor, mori direkt kreun e Spakut në telefon: ‘Jam Mirzeta Krasniqi, dua të të takoj patjetër’. Kjo i vajti direkt brenda pa avokat fare. ‘Bjeri çik letrat këtu – i tha – më ka bere presion’. Por, deri në atë moment, çupa ime s’kishte pranuar asnjë gjë. Mendohu mirë – i tha kreu i SPAK-ut – se kjo që thua ti që më ka bërë presion Balluku, kjo është një akuzë që ne e marrim nga rruga atë dhe e fusim brenda atë. ‘Bjere letrën këtu! – i tha vajza – Mendohu mirë! Jam menduar’ – i tha ajo – ‘përderisa erdha këtu, e kam ndarë mendjen edhe për Ramën dhe për Ballukun’” shton ai.
Një rrëfim i sinqertë, nga një baba e familje që ka vuajtur shumë presionin mbi të bijën. “Edhe tani ka shumë, shumë presione. Çupa ime dhe sot e kësaj dite është në punë ajo dhe ka presione akoma. Ishte javën që shkoi dhe më tha mua ‘Si thua o babi, ta lë punën?! Si do e lësh punën’ – i thashë” pohon ai.
***
Bisedë mes gazetarëve të Fiks Fare dhe Zaim Krasniqit (alias Dhimitër Kashnica), babai i punonjëses së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Mirzeta Kashnica
Babai i Mirzetës – Vijnë çupat nga Tirana pasnesër. Nesër vjen një punëtore.
Fiksi – Pse i ke në Tiranë?
Babai i Mirzetës – Po në Tiranë, çupën e kam “Rama IK”.
Fiksi – Pse ku punon çupa jote?
Babai i Mirzetës – Në Kryeministri dhe vete edhe në protestë! Po nga vini juve, mos jeni të infiltruar?
Fiksi – Jo, ne na ra rruga këtej. Po goca mirë?
Babai i Mirzetës – Goca ime ka qenë e pandehura e Ballukut.
Fiksi – Ca thua?
Babai i Mirzetës – Po.
Fiksi – Po pse?
Babai i Mirzetës – Po atje ishte ajo shefe e zyrës. Te komisioni i ofertave.
Fiksi – E pandehur? Po si e kaloi?
Babai i Mirzetës – I ka ngjarë babait. Të tëre u dënuan, vetëm ajo doli e pafajshme. Ajo nuk firmosi për Zvërnecin, nuk firmosi për Llogoranë, nuk firmosi për Sazanin dhe për dy LOT-e sepse ishte shtatzëne ajo kur ishte loti I dhe loti II, nëse jeni në dijeni të këtyre çështjeve. Nuk pranoi dhe e tall Rama. Çupën time tall ai që u hodh gjithandej në tiktok e televizor ‘e morën punonjësen e Ballukut, e ulën në karrige, i lidhën duart, i lidhën një tenije këtu (i referohet gojës) edhe i nxorën një thikë me pika gjaku’ – nëse i keni parë këto të Ramës.
Fiksi – Po pse për vajzën tënde kanë qenë këto?
Babai i Mirzetës – Po për vajzën time!
Fiksi – Kanë ndodhur vërtet këto apo?
Babai i Mirzetës – Shiko, çupa ime është shumë e zgjuar dhe shumë e shkathët. Në atë vend s’e ka çuar as Berisha, as partia dhe as Rama. Ajo konkurroi me 40 veta dhe doli e para.
Babai i Mirzetës – Unazën e tretë të Tiranës çupa ime e ka bërë. Erdhi puna e thërritën atje. Unë i gjeta atë mikun tim, Saimir Vishaj, avokat. Shkoi 2-3 herë atje dhe erdhi puna u bë gjyqi. Ata u dënuan të tërë. Iu gjetën miliona nëpër shpi ose me arrest shtëpie kush paraqitej.
Babai i Mirzetës – E çupa ime shyqyr doli e pafajshme. Se çupen e kam me fatkeqësi të madhe unë.
Fiksi – Pse ça ka?
Babai i Mirzetës – Vjet i vrau veten burri! Ka dy fëmijë, djalë e vajzë. Burri ishte shofer i ministrit të Brendshëm, Bled Çuçit.
Fiksi – Po tani, kur vrau veten burri i vajzës, ishin këto probleme me Ballukun?
Babai i Mirzetës – Po, po, po ajo firmoste e vuloste çdo gjë. Po t’a kërkosh Mirzeta Kashnica… po t’a klikosh aty!
Fiksi – Po ka pasur presione vajza? Po si ka mundësi doli e pafajshme ajo?
Babai i Mirzetës – Po se ajo nuk firmosi asgjë, nuk pranonte as dhurata, asgjë. Bëj hesap ti, në kabinet janë vetëm 5 veta, nuk lejohet të hyjë asnjëri aty. ‘Kishte raste që dilja jashtë unë babi – tha (i referohet fjalëve të Mirzetës) – dhe kur hyja unë, ata pap – pap direkt bënin muhabete sporti, ndërronin muhabetin. Kur binte telefoni dilnin përjashta’.
Babai i Mirzetës – Ruheshin shumë nga mua se çupa ime është e djathte, nuk është e majtë.
Babai i Mirzetës – Kemi qenë në dilemë të madhe shumë deri në momentin që prokuroria mbylli letrat, i çoi për gjykim dhe dha dënimet. Shpëtuam pastaj, u liruam, u qetësuam jashtë mase.
Fiksi – Paske kaluar hall të madh dhe me shtet.
Babai i Mirzetës – Me shtet, me shtet dhe dhëmb për dhemb. Kjo e mori inat Ramën.
Kur bëri unazën e tretë, kjo ishte te komisioni që do bëhej konkurrimi se kush do e fitoj. Ishin tre veta që kishin hedhur unazën e tretë. Çupa ime një vit me tabelë me çantë nëpër shi e kontrollonte andej në Yzberisht. Kontrollonte komplet linjën ku do bëhej. Edhe thotë Rama ‘kush është kjo që do bëj këtë unazën, nga është ai që ka bërë unazën e tretë? Nga Fieri – O, provincial qenka?! Çupës sime i iku truri. Dhe ajo ja mbajti këtu (vathë në vesh)
Babai i Mirzetës – Dhe tani që doli Rama që tallej me të në televizor, mori direkt kreun e Spakut në telefon: ‘Jam Mirzeta Krasniqi, dua të të takoj patjetër’. Kjo i vajti direkt brenda pa avokat fare. ‘Bjeri çik letrat këtu – i tha – më ka bere presion’. Por, deri në atë moment, çupa ime s’kishte pranuar asnjë gjë. Mendohu mirë – i tha kreu i SPAK-ut – se kjo që thua ti që më ka bërë presion Balluku, kjo është një akuzë që ne e marrim nga rruga atë dhe e fusim brenda atë. ‘Bjere letrën këtu! – i tha vajza – Mendohu mirë! Jam menduar’ – i tha ajo – ‘përderisa erdha këtu, e kam ndarë mendjen edhe për Ramën dhe për Ballukun’.
Fiksi – Me kë foli te SPAK-u ajo?
Babai i Mirzetës – Ishte Dumani dhe prokurori i çështjes. Ishte ky që i harrova emrin.
Babai i Mirzetës – Një të bërë denoncim ajo, është e vërtet ajo që thotë Rama, vajtën pastaj u kopsiten të tëra dosjet. Do hyjnë tani te Kushtetuesja. Kushtetuesja në Parlament, do t’i hiqet imuniteti dhe tek vendi (burgu).
Fiksi – Po ka pasur presione te mëdha?
Babai i Mirzetës – Shumë, shumë! Çupa ime dhe sot e kësaj dite është në punë ajo dhe ka presione akoma.
Babai i Mirzetës – Edhe ishte javën që shkoi dhe më tha mua ‘Si thua o babi, ta lë punën?! Si do e lësh punën’ – i thashë.
Fiksi – Po e fortë është që rri akoma në punë, duke pasur presione.
Babai i Mirzetës – Jo është kështu ajo, e di si është!
Fiksi – Po ju keni pasur presione, familja?
Babai i Mirzetës – Po, po.
Fiksi – Edhe ju?
Babai i Mirzetës – Mos pyet më se kalojmë në temë tjetër pastaj. Shumë, shumë, shumë …
Fiksi – Po si arritën deri tek familja?
Babai i Mirzetës – Yyy ç’janë ata… /TCH










