Sot beteja për Territorialen, opozita aksion para Kuvendit

Përplasja për hartën e re territoriale do të zhvillohet sot në dy fronte: brenda Kuvendit për 84 votat e nevojshme dhe jashtë tij, ku opozita ka thirrur protestë paralelisht me nisjen e seancës. Projektligji që redukton numrin e bashkive nga 61 në 46 do të votohet në sallë në orën 10:00. Në të njëjtën kohë, para Parlamentit pritet të mblidhen mbështetës të opozitës për të kundërshtuar ndarjen e re administrative. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për protestë kundër projektit për shkrirjen e 15 bashkive, duke e cilësuar reformën si një vendim të diktuar nga interesat politike të Edi Ramës.
Përgatitjet për protestën kanë nisur që një ditë më parë. Në oborrin e selisë së PD-së janë vendosur manekinë me figurat e Ergys Agasit dhe Erion Veliajt, ndërsa demokratët kanë paralajmëruar aksion edhe brenda Kuvendit.Ende nuk është e qartë nëse kryedemokrati Sali Berisha dhe deputetët e opozitës do të lënë sallën për t’iu bashkuar protestuesve jashtë. Po në orën 10:00 do të zhvillohet edhe protesta e “Flamingove”.
Mazhoranca duhet të sigurojë 84 vota për miratimin e hartës. Drafti ka hasur kundërshtime jo vetëm nga opozita, por edhe nga dy deputetë socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj.Për këtë arsye, çdo votë merr peshë. Në seancë pritet të jenë edhe kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku, ndërsa rezultati i votimit pritet të përcaktojë nëse harta e re territoriale do të kalojë sot në Parlament.
Beteja për 84 votat, kundërshti edhe brenda PS
Ndarja e re me 15 bashki më pak pritet të jetë përplasja kryesore e seancës së sotme plenare. Projektligji që redukton numrin e bashkive nga 61 në 46 kërkon 84 vota për t’u miratuar, por shumica nuk i ka ende të sigurta të gjitha votat. Përveç kundërshtimit të opozitës, rezervat kanë ardhur edhe nga brenda Partisë Socialiste. Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj janë shprehur kundër ndarjes së re, duke e bërë aritmetikën e votimit më të ndërlikuar për mazhorancën. Në sallë pritet të jenë edhe kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku, të cilët kanë munguar në disa prej seancave të fundit.
Debati për hartën territoriale pritet të shoqërohet edhe me tension politik jashtë Kuvendit. Opozita ka paralajmëruar protesta brenda dhe jashtë sallës, ndërsa në të njëjtën orë, 10:00, është thirrur edhe protesta e flamingove.
Seanca pritet të jetë e gjatë edhe për shkak të katër interpelancave. PD ka thirrur ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, për reagimin e policisë ndaj protestuesve. Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, do të përballet me pyetje për autostradën Milot–Balldre dhe TEC-et lundruese në Vlorë, ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, është thirrur për çmimet e produkteve bazë dhe fuqinë blerëse. Në rend dite janë edhe tetë projektligje të tjera, si dhe kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e shoqërisë shtetërore “KAYO”.








