Greqi/ Shqiptarja sulmon me gërshërë partneren e ish-burrit, i pret flokët dhe i merr telefonin

Një episod i dhunshëm i lidhur me një konflikt për motive romantike ka ndodhur të martën, më 6 tetor, në Halkida të Greqisë.
Një 37-vjeçare shqiptare dyshohet se ka hyrë me forcë në banesën e një 23-vjeçareje rumune, e cila ishte partnerja e re e ish-burrit të saj.
Sipas të dhënave të bëra publike, fillimisht mes dy grave ka nisur një debat i ashpër verbal, i cili më pas ka përshkallëzuar në konflikt fizik. 37-vjeçarja kishte me vete një palë gërshërë dhe dyshohet se ka sulmuar 23-vjeçaren.
E reja ka pësuar dëmtime në gishtat e dorës së majtë, teksa përpiqej të mbrohej. Më pas, 37-vjeçarja dyshohet se e ka goditur në kokë dhe e ka tërhequr zvarrë në dysheme.
Në vijim të sulmit, ajo i ka prerë me gërshërë një pjesë të flokëve 23-vjeçares dhe më pas është larguar nga banesa, duke i marrë edhe telefonin celular.
E dëmtuara u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Halkidës, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore për plagët e shkaktuara.
Pas ngjarjes, policia ka lokalizuar dhe arrestuar 37-vjeçaren. Ndaj saj është ngritur dosje penale dhe ajo është dërguar në Prokurori.
Gjatë paraqitjes para autoriteteve, e akuzuara kërkoi kohë për përgatitjen e mbrojtjes së saj, kërkesë e cila u pranua nga organet e drejtësisë.








