POLITIKË

‘Patriot ose tradhtar!’/ Tedi Blushi: Çdo deputet do të mbahet shënim për qëndrimin dhe votën

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook për seancën e sotme plenare, duke e cilësuar si një ditë vendimtare për atë që ai e quan “projektin për shpopullimin dhe zhbërjen e Shqipërisë”.

Blushi u bën thirrje deputetëve të mos votojnë dhe të mos bëhen pjesë e asaj që e cilëson si “farsë”, ndërsa paralajmëron se çdo qëndrim dhe votë do të mbahet shënim

“Patriot ose Tradhtar!”, shkruan ai, duke iu referuar përgjegjësisë politike dhe kombëtare të deputetëve.

Postimi i plotë:

Seanca e sotme plenare ka vetëm një rend dite: Të ndalet miratimi i njëanshëm i projektit për shpopullimin dhe zhbërjen e Shqipërisë.

Çdo përpjekje tinzare për të imponuar “normalitet punimesh” në një Kuvend të rrethuar me blinda dhe narkopolicë dhe të marrë peng nga mafia duhet përbuzur me neveri.

Sot, çdo deputet që e quan veten shqiptar dhe jo shqip-folës ka vetëm një axhendë: Të mos bëhet pjesë e asnjë farse, të mos votojë shpopullimin e Shqipërisë, të përfaqësojë çdo shqiptar të ngritur në revoltë dhe të jetë në lartësinë e përgjegjësisë politike dhe kombëtare që kërkon koha.

Sot është një ditë historike ku do të mbahet shënim çdo qëndrim dhe çdo votë.

Çdo deputet do të përballet me emrin që shqiptarët dhe historia do t’i japë zgjedhjes së tij: Patriot ose Tradhtar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button