FINALIZOHET ME SUKSES OPERACIONI POLICOR “TRANSAKSIONI 2”

Fier – Ekzekutohen 11 masa sigurimi personal “Arrest në shtëpi” dhe 3 masa sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, për 14 shtetas.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Transaksioni 2”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u bë ekzekutimi i urdhrave të prokurorit, në zbatim të vendimit të gjykatës, për 14 shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.
Në zbatim të vendimit të gjykatës, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasit:
Etland Dhamo 55 vjeç, Hasan Shametaj 58 vjeç, Eris Ikonomi 34 vjeç, Admir Iljazi 45 vjeç, Laurenc Toska 27 vjeç, Luan Zenelaj, 57 vjeç, Fatmir Dervishaj, 67 vjeç, Viktor Binaj, 58 vjeç, Rinush Stavri, 39 vjeç, Denis Arapi, 36 vjeç dhe Çlirim Sino 38 vjeç, banues në Fier dhe Tiranë.
Për shtetasin Ç. S., nisi procedimi penal, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan një armë sportive tip pistoletë, dy mjete prerëse dhe një fishek, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, u ekzekutuan masat e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 3 shtetase të tjera.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në njësitë tregtare dhe banesat e shtetasve të përfshirë në hetim, u gjetën dhe u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në monedha të ndryshme, konkretisht:
- 4 461 000 lekë;
- 92 390 euro;
- 8 215 paund;
- 19 022 dollarë;
- 220 franga;
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier vijon angazhimin për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare.










