AKTUALITETTOP-NEWS

Tirana po gëlltit Shqipërinë! Fieri në fund për rritjen ekonomike.

Ekonomia shqiptare po përqendrohet gjithnjë e më shumë në Tiranë, ndërsa diferencat në zhvillimin ekonomik mes qarqeve mbeten të mëdha. Qarku Fier nga qarku i dytë apo i tretë në shkallë vendi për rritjen ekonomike, nga statistikat renditet në grupin e fundit bashkë me Kuksin, Dibrën.

Të dhëna mbi PBB e Rajoneve nga INSTAT tregojnë se në vitin 2024, Tirana gjeneroi rreth 80% të rritjes ekonomike të vendit, ndërsa qarqe si Shkodra, Dibra dhe Kukësi patën një kontribut pothuajse të papërfillshëm.

Ekonomia shqiptare u rrit me 4.03% në terma realë në vitin 2024, por nga kjo rritje  3.24 pikë përqindje erdhën vetëm nga Tirana, e ndjekur nga Durrësi me 0.29 pikë përqindje dhe Vlora me 0.15 pikë përqindje.

Të dhënat konfirmojnë një përqendrim të fortë të aktivitetit ekonomik në kryeqytet. Tirana prodhoi 46.94% të PBB-së kombëtare në vitin 2024, nga 45.75% një vit më parë, duke e zgjeruar peshën e saj me 1.19 pikë përqindje. Në vlerë nominale, ekonomia e Tiranës arriti në rreth 1.18 trilionë lekë, nga 2.52 trilionë lekë që ishte PBB-ja e gjithë vendit.

Qarqet e tjera me ritme shumë më të ulëta

Diferencat janë edhe më të dukshme në ritmet e rritjes ekonomike. Në vitin 2024, Tirana shënoi një rritje reale prej 7.08%, ndjeshëm mbi mesataren kombëtare prej 4.03%. Durrësi u rendit i dyti me 2.82%, i ndjekur nga Vlora me 2.53%. Në pjesën tjetër të vendit, rritja ekonomike ishte shumë më e ngadaltë. Elbasani dhe Berati u zgjeruan me nga 1.56%, Gjirokastra me 1.32%, Korça me 1.20% dhe Lezha me 1.19%.

Në fund të renditjes qëndrojnë Shkodra, me rritje vetëm 0.19%, Dibra me 0.27%, Fieri me 0.57% dhe Kukësi me 0.63%. Kjo do të thotë se, megjithëse ekonomia kombëtare u rrit me mbi 4%, pjesa më e madhe e qarqeve regjistroi ritme rritjeje shumë më të ulëta se mesatarja.

Diferencat në ecurinë ekonomike po reflektohen edhe në shpërndarjen territoriale të prodhimit. Ndërsa Tirana rrit peshën e saj në PBB, qarqet e tjera, me përjashtim të pak rasteve, po humbasin terren në strukturën e ekonomisë kombëtare.

Veriu dhe Jugu, së bashku rriten më pak se Tirana

Rajoni Qendër, që përfshin Tiranën dhe Elbasanin, gjeneroi 52.87% të PBB-së kombëtare në vitin 2024, nga 51.87% një vit më parë. Ekonomia e këtij rajoni u rrit me 6.43% në terma realë, duke dhënë një kontribut prej 3.34 pikësh përqindje në rritjen ekonomike kombëtare. Ndërkohë, rajoni Veri u rrit me vetëm 1.60%, ndërsa rajoni Jug me 1.31%.

Të dy rajonet së bashku kontribuuan me 0.69 pikë përqindje në rritjen ekonomike të vendit, shumë më pak se kontributi prej 3.24 pikësh përqindje që dha vetëm Tirana. Rajoni Veri prodhoi 21.68% të PBB-së në vitin 2024, ndërsa Jugu 25.45%. Të dyja rajonet e ulën peshën e tyre krahasuar me vitin e mëparshëm.

Tirana ka PBB për frymë gati trefishin e Kukësit

Pabarazitë ekonomike shfaqen edhe në nivelin e PBB-së për frymë, tregues që mat vlerën e prodhimit ekonomik në raport me popullsinë. Sipas INSTAT, PBB-ja mesatare për frymë në Shqipëri arriti në 1.06 milionë lekë në vitin 2024. Tirana kishte nivelin më të lartë, me 1.56 milionë lekë për frymë, ose 47% mbi mesataren kombëtare. Në vendin e dytë renditet Durrësi, me 1.15 milionë lekë për frymë, rreth 8.8% mbi mesataren, i ndjekur nga Fieri me 1.03 milionë lekë.

Në anën tjetër, Kukësi regjistroi nivelin më të ulët, me vetëm 568 mijë lekë për frymë, ose 46.3% nën mesataren kombëtare. Dibra kishte 610 mijë lekë për frymë dhe Berati 613 mijë lekë, nivele përkatësisht rreth 42.4% dhe 42.2% nën mesataren e vendit.

Diferenca mes Tiranës dhe Kukësit është 2.7 herë, duke nxjerrë në pah hendekun e madh në kapacitetin ekonomik të qarqeve. Nga 12 qarqet e Shqipërisë, vetëm Tirana dhe Durrësi kishin PBB për frymë mbi mesataren kombëtare.

Duhet theksuar se PBB-ja për frymë nuk është e barabartë me të ardhurat që marrin banorët, por mat prodhimin ekonomik të krijuar në një territor në raport me popullsinë e tij. /monitor 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button