Federata Europiane e Gazetarëve ngre alarmin: 55 sulme ndaj gazetarëve në 18 ditë në Shqipëri

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka reaguar për situatën e sigurisë së gazetarëve në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për numrin e lartë të sulmeve të regjistruara gjatë protestave të zhvilluara në vend.
Në një reagim publik, EFJ thekson se shumica e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve u atribuohen punonjësve të Policisë së Shtetit, ndërsa u bën thirrje autoriteteve shqiptare të marrin masa për mbrojtjen e gazetarëve dhe vënien para përgjegjësisë të personave të përfshirë në sulme.
Sipas të dhënave të rrjetit SafeJournalists, me mbështetjen e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), nga 13 deri më 31 tetor janë regjistruar të paktën 55 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Rastet përfshijnë raportime për gazetarë të dhunuar fizikisht, fyerje verbale, ndalime, pengim të ushtrimit të detyrës dhe sekuestrim të pajisjeve të punës.
EFJ nënvizon se, pavarësisht se autoritetet janë informuar dhe u është kërkuar të ndërhyjnë përmes një letre të hapur më 14 tetor, të nënshkruar nga më shumë se 30 organizata, sulmet kanë vijuar me frekuencë të lartë, duke i lënë gazetarët të pambrojtur gjatë raportimit në terren.
Federata Evropiane e Gazetarëve thekson se, në kuadër të përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, autoritetet duhet të garantojnë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion transparent dhe të pavarur








