AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Vaji ullirit i Mallakastrës, cilësi që rrezikon të mbetet pa prodhues! Viktori: Konsumatorë, shkoni dhe blini vaj ulliri në fabrikë.

BALLSH – Në një kohë kur prodhimi i vajit të ullirit mbetet një nga aktivitetet e rëndësishme bujqësore të Mallakastrës, ullishtarët po përballen me vështirësi të shumta, që rrezikojnë jo vetëm të ardhurat e tyre, por edhe vazhdimësinë e këtij aktiviteti.

Në fabrikën e përpunimit të vajit të ullirit, në pronësi të Viktor Pajës, e cila ndodhet pranë ish-Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, përpunohen çdo sezon ullinjtë e fermerëve të Mallakastrës dhe fshatrave përreth, si Panahori, Gjerbësi, Ngraçani, Aranitasi, Metohu, aty dhe nga Levani i Beratit por dhe zona të tjera.

Për Viktor Pajën, cilësia e vajit nis që në momentin e vjeljes së ullirit. Ai thekson se fruti duhet të jetë i pastër dhe i freskët, ndërsa përpunimi duhet të kryhet sa më shpejt pas vjeljes. Mbajtja e ullinjve për disa ditë pa u përpunuar shkakton myk dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e vajit.

Sipas tij, Mallakastra ka një traditë të mirë në kultivimin e ullirit dhe prodhon vaj me cilësi shumë të lartë, por kjo cilësi duhet ruajtur në çdo hallkë të procesit.

Ai ngre shqetësimin edhe për vajin e importuar dhe nevojën që institucionet shtetërore të garantojnë kontrollin dhe cilësinë e produkteve që tregtohen për konsumatorët.

Por problematikat nuk përfundojnë te prodhimi dhe tregtimi. Viktori kërkon që qeveria të hartojë skema të posaçme subvencionimi për ullishtarët, të cilët, sipas tij, nuk përfitojnë mbështetjen e nevojshme. Ai thekson se, ashtu siç mbështeten fermerët që kultivojnë domate, kastravecë, bletarë, duhet të ketë mbështetje edhe për ata që merren me kultivimin e ullirit.

Një tjetër problem serioz është mungesa e fuqisë punëtore. Në shumë fshatra ka mbetur kryesisht mosha e tretë, ndërsa të rinjtë janë larguar. Kjo i detyron ullishtarët të paguajnë punëtorë për vjeljen dhe mirëmbajtjen e pemëve, duke rritur ndjeshëm kostot.

Një apel të veçantë Viktori u drejton edhe konsumatorëve. Ai këshillon që vaji i ullirit të blihet drejtpërdrejt në fabrikat ku prodhohet, duke krijuar kontakt me pronarët dhe duke u interesuar për origjinën e produktit. Sipas tij, kjo është mënyra më e mirë për të shmangur abuzimet në treg, ku përmes përzierjeve të ndryshme mund të ulet çmimi, por edhe cilësia e vajit.



Në kushtet kur çmimet e pesticideve dhe të produkteve të tjera bujqësore janë të larta, ndërsa mungojnë subvencionet, shumë prej tyre rrezikojnë ta mbyllin sezonin me humbje.


Mallakastra ka ullinj, ka traditë dhe ka potencial për të prodhuar vaj cilësor, por pa mbështetjen e duhur, kjo pasuri rrezikon të mbetet pa njerëzit që e kultivojnë. Sepse nuk mjafton të kesh ullinj në kodra, nëse mungojnë duart që t’i vjelin dhe mbështetja që i mban ullishtarët në tokën e tyre. / ALB365

(Shkrim i sponsorizuar)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button