Monday, November 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËZbulimi i spiunit “I.M” si licencë për grabitje

Zbulimi i spiunit “I.M” si licencë për grabitje

Nga Andi Bushati – Kronikat e verës kanë qenë të mbushura me lajme pesimiste për të gjithë kundërshtarët e regjimit.

Sali Berishës iu konfirmua një “non grata” e dytë që përforcon edhe më idenë se ekziston një front përtej SHBA, që kërkon izolimin e tij. Kjo e renditi aleatin më të sigurtë të amerikanëve në Evropë, Britaninë e Madhe, në të njëjtën linjë me vendimin e Uashingtonit, një vit më parë.

Sapo doli nga presidenca Ilir Meta, nuk u shpall i padëshëruar nga perendimorët por, i preferuari i sigurimit të shtetit. Ne mediat pro qeveritare u pompua lajmi i zubulimit të dosjes agjenturore të ish kreut të shtetit, që çuditërisht përkoi me ditën e tij të rikthimit në politikën aktive. Pra, sipas komenteve, i gjithë aktiviteti i 30 vjeçar i tij edhe si kryeministër edhe si kryetar kuvendi edhe si president ka qenë i shënjuar nga kjo njollë, që doli në sipërfaqe tani.

Sikur mos mjaftonin akuzat klishe për “Like floririn”, “njeriun më bllok” dhe “shkelësin recidivist të kushtetutës”, Meta duhej shpallur edhe spiun.

Po ti shtosh këtyre edhe titujt se opozita u shfaq e përçarë në ceremoninë e betimit të Bajram Begajt, apo se pikërisht ngaqë ishte e tillë ajo nuk qe prezent në festën e hapjes së negociatave, të krijohet ideja se Rama po sundon i pashqetësuar, me kundërshtarë të damkosur moralisht, të telendisur politikisht dhe të pa rrezikshëm për ti cënuar pushtetin.

Një pjesë e opozitës profesioniste ka tendencën të japë justifikime të copëzuara, shpesh të frymëzuara nga teori konspirative dhe shpesh të argumentuara me kulisa meskine, për të gjithë këto akuza.

Në fakt çështja është më e komplikuar dhe duhet parë si një tërësi. Pak rëndësi ka nëse pas non gratës së parë për Salin Berishën qëndoron lobimi i Xhorxh Sorosit, apo dikush tjetër. Nuk ka pikë vlere nëse goditja nga Londra erdhi si pasojë e pagesëve të rrejtit okult të Toni Bler, apo kjo është thjeshtë një fantazi. Nuk ndryshon asgjë nëse të ‘kaluarën e fshehtë të Ilir Metës” e zbuloi pendesa e një ish hierarku të sigurimit, apo ajo përbën një nga truqet e radhës që prodhojnë me shumicë institucionet e vendeve autokratike.

E vërteta e thjeshtë është se kemi arritur në një pikë ku pushteti e ka ndërtuar në perfeksion makinerinë e denigrimit dhe asgjesimit të opozitës. Pjesë e saj mund të jenë ambasadorë që luajnë për interesa gjeopolitike të çastit, apo lobistë që paguhen me paratë e popullit më të varfër të kontinentit, “institucione të pavarura”, apo thjeshtë gazetarë që figurojnë në borderotë e koncesioneve, por një gjë është e qartë: ata mund të identifikohen fare lehtë.

Kushdo që merret me non gratën dhe nuk sheh vjedhjet e kryeministrit aktual, kushdo që zbulon agjentin Meta, por nuk ndjen dot atmoserën e pushtetit që mbahet në këmbë me banda, kush vë gishtin mbi mëkatet e opozitës, por ‘harron” inceneratorët, rrugët e florinjta, rilindasit e shndërruar në investitore strategjikë, hashashin, kokainën dhe paratë e tyre që pastrohen në kullat e Tiranës, ky pra, cilido qoftë, është një mercenar i kësaj makinerie propagande. Ndërkombëtarë apo shqiptarë, ata janë rogëtarë të saj dhe punojnë për forcimin e pushtetit personal të Edi Ramës.

Të pohosh këtë nuk do të thotë se ke amnistuar në mënyrë atutomatike opozitën. Ajo ka mëkatet e saj që fillojnë nga prijësit e vjetër, nga mungesa e një alternative të besueshme e deri tek telendisja e stërgjatur vëllavrasëse. Sikur zgjedhjet të ribëheshin sërish sot, falë bandave që ka në dispozicion për të kërcënuar dhe milionave që përdor për të blerë, Rama do të merrte në kutitë e votimit rezultatin që do të shkruante vetë me dorën e tij.

Po atëhere lind pyetja: pse gjithë ky investim i shfrenuar anti opozitar, kur as partia me emër të ri e Ilirit, as ajo me sigël të kontestuar e Saliut, nuk përbëjnë ndonjë rrezik për rrëzimin e këtij pushteti?

Përgjigjja është e thjeshtë: Rama nuk diskuton më qëndrimin në karrige, ai ka kaluar tani në një fazë tjetër, që do të grabisë i pa shqetësuar.

Dhe ndonëse, Berisha-Meta, si binomi i ri në krye të opozitës, janë shumë larg së qeni një alternativë reale për pushtet, duke bërë një opozitë të fortë dhe pa kompromis, ndryshe nga ajo e Bashës, ata do të nxirrnin në rrugë këdo që është i pakënaqur nga rritja galopante e kostos së jetesës, nga fluturimi i çmimit të karburantit, vajit apo bukës.

Pra çdo aferë e re, do të përbënte një shkak, që ata të cilët ndiheshin të vjedhur, të dilnin në bulevard dhe të kërkonin me dhunë atë që po ua rrëmbenin me ligj.

Pikërisht, frika se Meta dhe Berisha, për interesat e tyre, mund të bëhen katalizatorët e zemërimit të njerëzve, që deri më tani janë grabitur në heshtje, është ankthi që mundon sot Edi Ramën. Për këtë ai ka vënë në lëvizje, me gjithë fuqinë e vet, makinerinë shqiptaro- ndërkombëtare, që punon për të penguar fuzionimin e qytetarëve të pakënaqur me liderët aktualë të opozitës.

Sa herë dëgjohet një ndërkombëtar i shqetësuar për korrupsionin e Berishës para një dekade duke harruar këtë të sotmin, apo një shqiptar që rrëfen se çka bërë Ilir Meta në shekullin e shkuar, ata duhen trajtuar si lakej të pushtetit. Rezultati i angazhimit të tyre është i lexueshëm, jo vetëm ta mbajnë pagatorin e tyre në fron, por dhe ti krijojnë mundësinë të rrëmbejë gjithçka, pa dhënë askund llogari.

Prandaj, duhet të jemi të qartë se sa herë ata flasin, këtë nuk e bëjnë pasi duan një PD apo PL më të vyrtytshme, por ngaqë duan ti pengojnë qytetarët të përdorin si mburojë ndaj regjimit, opozitën që u ka rënë për pjesë.

Rama ka humbur kontrollin mbi administratën e cila është lëshuar në plaçkitje. Nuk bëhet fjalë vetëm për korrupsion pasiv, këtu bëhet fjalë për sulm për të të marrë portofolin. Ka një agresivitet. Këtë Rama nuk po e korrigjon dot. Marrim fjalën e Gazhelit. Ai që në historikun e biografisë së tij ka një konflikt interesi, ka qenë drejtor i thesarit të partisë. Si ka mundësi që një person që ka pasur besimin të mbajë kontabilitetin e partisë, tani që partia është në pushtet, mban kontabilitetin e shtetit. Aty duhet të jetë një ekspert, ne kemi eksperimentuar me anglezë, britanikë. Gjithmonë ëhstë bërë një garë për të gjetur njerëz sa më larg politikës që dëmi që mund ti bëhet ekonomisë, të jetë sa më i vogël. Ti e shndërron nga një post teknik në një post politik.

Ne kemi një situatë që rrotacioni është një çështje e ditës, duhet patjetër një balancim forcash. Mund të kem rezervat e mia nëse ka pasur opozitë më parë. Por tani duhet kuptuar nëse Berisha dhe Meta janë apo jo të aftë ta detyrojnë Ramën të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kjo bëhet nëse marrin një rezultat fitues në 2023. Nëse do respektohen afatet, 2025 është shumë larg.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME